Connect with us

Lajme

Pas një sulmi me armë zjarri vdes një person në Vlorë

Publikuar

Një atentat me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Skelës pranë Pallatit të Sportit në pjesën e pasme të një servisi.

Burime për tvklan.al thonë se viktima është D. T. 38 vjeç, i cili u qëllua me breshëri kallashnikovi. D.T. mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit të qytetit. Por ndërroi jetë sapo mbërriti aty për shkak të gjakderdhjes.

Forca të shumta policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë rrethimin e zonës. Kanë qenë banorët të cilët njoftuan uniformat blu pasi dëgjuan breshërinë e armëve. Sipas burimeve policore, thuhet se paraprakisht ndaj viktimës u qëllua me të paktën 15 plumba kallashnikovi.

Autori/ët janë arratisur dhe dyshohet të jenë larguar drejt Kaninës. Një automjet është gjetur i djegur në fshatin Sherishtë dhe dyshohet se u përket vrasësve. Policia ka ngritur postblloqe të shumta dhe pika kontrolli për të bërë të mundur ndalimin e autorit/ëve. Po kështu, autoritetet kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonë.

“Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës. Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve. Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes. Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen. Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve”, thotë Policia e Vlorës në njoftimin e saj zyrtar./tvklan.al/

.

NA NDIQ NË FACEBOOK