Connect with us

Lajme

Opozita shqiptare: Drejtësia në Maqedoni u varros

Published

on

“Gjykata dhe Prokuroria po vendosen në duart e politikanëve maqedonas dhe disa servilëve shqiptarë të kapur me hipoteka në sirtare”. Kështu e filloi sot reagimin e tij, Naim Bajrami nga opozita shqiptare e përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Reagimi erdhi një ditë pas takimit në Vodno mes Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski dhe kreut të opozitës maedonase, Hristijan Mickoski si dhe qëndrimeve të dala nga ky takim e që në veçanti kishin të bëjnë me të akuzuarit e 27 prillit të vitit 2017. Mickoski dhe Pendarovski, të “mbështetur” edhe nga Ali Ahmeti i BDI-së, janë kundër kualifikimit të akuzës si “terrorizëm”, pasi sipas tyre, atë natë në Kuvend ka pasur dhunë, por jo edhe akt terrorist, përcjell in7.

Naim Bajrami nga ASH-AAA e quajti skandaloz faktin se proceset gjyqësore vendosen në tavolinë bisedimesh të partive politike, ndërsa drejtësia në vend, sipas Opozitës shqiptare, tashmë është varrosur.

“Një vend që pretendon që këto ditë të marrë datën për fillimin e bisedimeve për integrim në Bashkimin Europian, vendos në takime politike për procese gjyqësore. Në vilën presidenciale, presidenti Stevo Pendarovski dhe kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski vendosin dhe kryejnë presion mbi gjykatat dhe mbi prokurorinë lidhur me aktin më të shëmtuar dhe më të rëndë terrorist në shtet, dhunën në institucionin më të lartë dhe të zgjedhurve të popullit. Për të legjitimuar këtë skandal, porosisin kryetarin e partisë shqiptare në qeveri, Ali Ahmetin, që të dalë dhe të gjykojë në mënyrën më të turpshme, në mënyrë të prerë se më 27 Prill nuk ka pasur terrorizëm. Ndërsa ata më të vegjlit që janë në qeveri, as gojën nuk e hapin”, theksoi Naim Bajrami nga koalicioni i partive opozitare shqiptare, përcjell in7.

Bajrami rikujtoi edhe rastin e shtyrjes së regjistrimit, pas një marrëveshjeje sy më sy të kryetarëve të partive maqedonase, por me aminin e partive shqiptare në pushtet, të cilët e legjitimuan tërë këtë marrëveshje, për të cilën nga Opozita Shqiptare thonë se është skandaloze. Ahmeti dhe BDI, sipas Bajramit, janë të zhytur në hipoteka dhe nën mëshirën e partive maqedonase.

“Për këtë servilizëm, ashtu si edhe për legjitimimin e marrëveshjen tjetër skandaloze për shtyrjen e regjistrimit, Ahmeti dhe BDI kanë vetëm një arsye. Ai dhe partia e tij janë të kapur në krim dhe korrupsion. Pa fije mbështetje në popull dhe vetëm në mëshirën e padronëve të tyre maqedonas. Ali Ahmeti dhe BDI janë bërë rreziku më i madh për shqiptarët, por edhe për mbarë vendin. Ata janë në gjendje të shesin çdo gjë për t’i shpëtuar drejtësisë, për të gjitha krimet që i kanë bërë. Kjo është edhe arsyeja që ata kurrë s’e hapën gojën, as për rastet e montuara ndaj shqiptarëve e as për amnestinë e vrasësit të Almirit të vogël. Shqiptarët dhe qytetarët në përgjithësi meritojnë përgjigjen e dy pyetjeve shumë të rëndësishme. Cili funksionar i BDI-së e njoftoi Nikolla Gruevskin për seancën e 27 prillit? Dhe kush pastaj, e njoftoi Ali Ahmetin që të mos vijë Kuvend derisa të tjerët rrezikonin edhe jetën? Shqiptarët do t’i japin fund këtij sevilizmi dhe pengmarrje të disa shqiptarëve në qeveri. Ndërsa ne do të vazhdojmë betejën ashtu si më 27 Prill, për t’i dhënë fund këtij regjimi tanimë të plotësuar edhe me subjekte tjera shqiptare, poashtu servile “, përfundoi reagimin e tij Naim Bajrami.

Çështja e 27 Prillit dhe lirimit eventual të të akuzuarve u aktualizua sërish pas takimit të para disa javëve të Zaevit dhe Mickoskit, por edhe në katërvjetorin e sulmit të turmës së huliganëve ndaj Kuvendit dhe deputetëve, prej të cilëve më së shumti e pësoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët./in7.tv/

NA NDIQ NË FACEBOOK


Advertisement
Click Here To Join Native Media

Portali Zyrtare u themelua nga një grup gazetarësh të rinjë në vitin 2018. Të motivuar nga nevoja për lajme të shpejta dhe të vërteta, në Maqedoni, ndër shqiptarë dhe për shqiptarët – Zyrtare nuk ishte veçse një kërkesë e kohës. Kontakt e-mail: [email protected]

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com