Sport
Mesjavë magjike në Supersport, spikasin Chelsea-Arsenal dhe Inter-Roma!


Ky sezon futbollistik po i afrohet fundit por ende nuk ka dhënë të gjitha verdiktet finale. Kjo mesjavë do të jetë më spektakolare se kurrë në ekranin e Supersport me sfida nga Serie A, Premier League, La Liga dhe Kupa e Francës. Sfida kryesore e mbrëmjes është derbi i Londrës mes Chelsea-t dhe Arsenalit që do të zhvillohet në orën 21:15 në Stamford Bridge. Blutë e Londrës me vëmendjen te dy finalet në FA Cup dhe Champions League do të kërkojnë të blindojnë pozitat në zonën Champions me një sukses ndaj Arsenalit që sot luan shansin e fundit për të qenë pjesë e kompeticioneve europiane sezonin e ardhshëm. Në Itali dita do të nisë me sfidën e orës 18:30 Cagliari-Fiorentina ndërkohë që vëmendjen më të madhe do ta marrin duelet e mbrëmjes Sassuolo-Juventus, Torino-Milan dhe Atalanta-Benvento ndeshje në të cilat luhet për zonën Champions. Interi i cili është shpallur kampion edhe matematikisht para 10 ditësh do të presë në San Siro Romën në një sfidë të bukur për t’u ndjekur në ekranin e Supersport. Në Spanjë do ta ketë radhën Atletico Madrid që duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Real Sociedad për të ruajtur kreun dhe për të krijuar një distancë sigurie prej 4 pikësh ndaj Barcelonës. Në këtë të mërkurë do të luhet edhe një prej dy gjysmëfinaleve të Kupës së Francës me Montpellier që do të presë PSG-në.






















