Sport
Lewandowski barazon rekordin e Muller, Schalke “djeg” Eintrachtin


Robert Lewandowski ka barazuar rekordin e golave të mbajtur nga Gerd Muller, pasi ka shënuar golin e tij të 40-ë sezonal në transfertën ndaj Freiburgut, ndërsa Bayerni i Mynihut nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2.
Me titullin kampion të siguruar edhe matematikisht, bavarezët kaluan të parët në avantazh me anë të sulmuesit polak, i cili ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 26’, ndërsa Freiburg riktheu baraspeshën me Gulde tre minuta më vonë.
Në pjesën e dytë ishte sërish skuadra e Hansi Flick që kaloi në avantazh, këtë herë me një gol të Leroy Sane, ndërsa vendasit morën një pikë falë golit të Gunter 7 minuta para fundit të ndeshjes.
Siguroi matematikisht mbijetesën Hertha e Berlinit, që nuk shkoi përtej barazimit pa gola në shtëpi ndaj Kolnit, por një pikë ishte e mjaftueshme për të mbetur në elitën e futbollit gjerman edhe sezonin e ardhshëm.
Komplikon gjithçka ndërkohë Werder Bremen, që humbi me rezultatin 2-0 ndeshjen direkte për mbijetesë ndaj Augsburgut dhe tashmë edhe fitorja në javën e fundit mund të mos mjaftojë për të qëndruar në elitë.
Në sfidat e tjera Arminia Bielefeld ngeci në barazim 1-1 ndaj Hoffenhaimit, Bayer Leverkusën mori vetëm një pikë ndaj Union Berlinit, ndërsa Schalke u zgjua duke mposhtur 4-3 Eintrachtin e Frankfurtit në një ndeshje mjaft të rëndësishme për miqtë.
Kjo pasi Eintrachti po garon për një vend në zonën Champions me Borussian e Dortmundit, por mund t’i shuhen shpresat përfundimisht nëse verdhezinjtë bëjnë detyrën nesër ndaj Mainzit.





















