Connect with us

Sport

Kur ëndërra bëhet realitet, Besar Guxhufi firmos me Beshtikashin (VIDEO)

Publikuar

Futbolli është sport magjik dhe paralel me spektaklin që sjell në çdo nivel të mundshëm, në mesin e aktorëve shpesh sjell storie interesante nga më të ndryshmet, e që mbeten inspirim për gjithë gjeneratat pasuese se si ëndërra mund të bëhet realitet. Ju prezantojmë historinë e bukur të familjes Guxhufi nga Shkupi.

Një baba ambicioz si Besniku bashkë me të birin e tij të madh Bajramin, do të investonte shumë në dy djemtë e tij Blerimin dhe Burimin, për të arritur kënaqësinë që mes tjerash bijtë e tij ti shihte të luajnë në elitën e futbollit vendorë. Blerimi portier dhe Burimi sulmues, talentë premtues që megjithë faktin se luajtën në elitë, nuk patën fatin të ndërtojnë diçka serioze jashta kufijve e që do të dukej se prindi Besniku aty do të kishte kulmin e arritjes së investimit të tij te dy djemtë. Por kur punës i jep hakun, shpërblimi edhe mund të vonojë, por asesi të harrojë!

Më i madhi Bajrami vepron e punon në Zvicër, Blerimi dhe Burimi, sot në pjesën e dytë të dekadës së tyre të katërt të jetës, familja Guxhufi në dorë ka kontratë 5 vjeçare me gjigandin dhe kampionin e Turqisë, Beshiktashin. Protagonisti i kësaj historie quhet Besar, më i riu i familjes, i cili me vetëm 16-të vite bën hapin e madh në karrierë për të kërcyer nga futbolli jonë në atë turk. Ëndërra bëhet realitet për familjen Guxhufi, pasi investimi i babait Besnikut dhe padyshim edhe mbështetja e djemve Blerimit e Burimit, sot merr kahje serioze duke plasuar Besarin në një nivel të lartë dhe skuadër model e me emër edhe në Europë.

Besari 16 vjeç, që në moshë shumë të vogël nisi me futboll te klubi Albarsa, duke shpresuar të paktën si vëllezërit e tij, një ditë të luante në elitë. Shfaq herët talent të rrallë dhe si pasojë kalon te shkolla e futbollit Vardari, ku shpejt imponohet në gjeneratat përkatëse, ndërsa paralel përfshihet në ekipet zinxhir të moshave të reja në përfaqësuesen e Maqedonisë, duke luajtur me U15, U16, U17 dhe madje edhe U19 edhe pse mosha e tij akoma është shumë e re. Janarin e këtij viti familja vlerësuan se është momenti për një lëvizje të rëndësishme, që do të ndihmonte Besartin për një hap serioz në karrierë.

U refuzuan oferta nga ekipe serioze në elitë që e shihnin si talent për ekipet e shpresave, në interes të minutazhit në ekipin e parë të Bellasicës, edhe pse këta të fundit mbanin vendin e fundit në renditje dhe me një këmbë kishin prekur Ligën e Dytë. Ky do të tregohej hapi i duhur, pasi Guxhufi i vogel te Bellasica debutoi me gol ndaj Renovës, luajti në 10 ndeshje me efekt prej 2 golave e 3 asisteve, mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen e shumë skautëve dhe klubeve të jashtme. Mes tjerash skuadra si Dinamo Zagreb, Fenerbahçe e Trabzonspor ishin lëshuar në kërkim të Besar Guxhufit, por më konkret tregohet Beshiktashi që arrin të sigurojë firmën e Guxhufit për 5 vitet e ardhshme.

Transferim senzacional për kushtet tona, të një xhevahiri që në Turqi paralajmërohet si Elif Elmasi i ri. Kontrata është firmosur, Beshiktash ka kompletuar dokumentacionin Besarit dhe prindërve të tij, që shkaku i moshës së lojtarit duhet të transferohen në Stamboll për të jetuar me të birin akoma të mitur, por tashmë futbollist i një gjigandi.

Deri sa në Turqi e presin me padurim si një shpresë e të ardhmes, Besar Guxhufi vijon stërvitjet në Shkup dhe në fund të muajit udhëton drejt Stambollit për të zyrtarizuar transferimin dhe realizimin e ëndërrës së tij dhe familjes Guxhufi.

NA NDIQ NË FACEBOOK