Connect with us

Sport

Krahasoi zëvendësin me një gjyqtar nazist, jep dorëheqjen kreu i Federatës Gjermane të Futbollit

Publikuar

Kreu i Federatës gjermane të Futbollit (DFB), Fritz Keller ka dhënë dorëheqjen paraditen e sotme, teksa lajmi është dhënë nga vetë institucioni, nëpërmjet një komunikate zyrtare.

Në të thuhet se Keller ka marrë përgjegjësitë e një deklarate të bërë në prill të këtij viti, ku krahasoi një nga zëvendësit e tij, ne një gjyqtar të regjimit famëkeq nazist.

“Marr përgjegjësitë personale për gafën e rëndë të bërë më 23 prill, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv dhe jap dorëheqjen nga drejtimi i DFB-së”, shprehet Keller ndër të tjera në deklaratë.

Gjatë asaj mbledhjeje, ish kreu i DFB-së e krahasoi zëvendësin e tij Rainer Koch me gjyqtarin famëkeq nazist Roland Freiler dhe më pas kërkoi falje menjëherë, por kjo nuk iu pranua nga zëvendës-presidenti.

Atëherë Keller refuzoi të japë dorëheqjen, por shumë shpejt shoqatat rajonale të futbollit tërhoqën mbështetjen e tyre ndaj tij, duke dalë edhe me një komunikatë të përbashkët, ku e cilësonin të papajtueshme deklaratën e kreut të atëhershëm.

Situata u bë edhe më e rëndë kur rasti u referua për hetim në një gjykatë, ndaj Keller vendosi të njoftojë tërheqjen nga posti i tij vetëm pak ditë para startit të Kampionatit Europian të Futbollit.

Keller nuk është figura e vetme që do të largohet pas trazirave të fundit në DFB, pasi edhe Sekretari i Përgjithshëm Friedrich Curtius, me të cilin 64-vjeçari thuhet se ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje, gjithashtu do të largohet nga posti i tij.

Fritz Keller u zgjodh në krye të DFB-së në gusht të 2019-ës, ndërsa më herët kishte qenë drejtues i lartë e së fundi president i klubit të Freiburgut në Bundesligën gjermane.

NA NDIQ NË FACEBOOK