Connect with us

Lajme

E shndërroi kazermën në kafene – Kush është koleksionuesi nga Vlora i veprave të Enver Hoxhës?

Publikuar

Pos historisë dhe veprimtarisë së tij si një komunist, Enver Hoxha pas vetes ka lënë edhe mbi 70 tituj të librave që i ka shkruar vet ai.

Sokol Cukani nga qyteti i Vlorës koleksionon gjëra të ndryshme, në mesin e të cilave janë edhe 78 vepra të ish-drejtuesit të Shqipërisë, Enver Hoxhës.

Ai për klankosova.tv ka thënë se nuk është një simpatizant i diktatorit, por se nuk dëshiron që të harrohet e kaluara e shqiptarëve.

“Unë kam edhe koleksionin tim të veprave të diktatorit Enver Hoxha, jo sepse jam një simpatizant i diktatorit, por do të doja të zë vend të shkuarën tonë, për të mos e harruar kurrë për të ardhmen”.

“Këto libra të Enver Hoxhës i kam mbledhur avash-avash, nuk mendoj se jam i vetmi që e kam koleksionin e librave të tij, ka disa persona që janë koleksionues të librave të Enver Hoxhës. Mendoj se i kam të gjitha veprat e Enver Hoxhës diku ku janë 74 gjithsej, dhe disa botime që nuk janë vepra, duhet të jenë diku deri 78 libra të Enverit”.

Cukani këto vepra i ka të ekspozuara në kafenenë e tij në Vlorë, ku thotë se shumë persona ulen të pinë kafe dhe i lexojnë librat e tij.

“Shumë veta thonë ç’ne që je koleksionues i veprave të diktatorit, dikush më pati thënë njëherë se nuk do të pijë birrë në lokalin tim, sepse unë  jam një komunist. Unë ja shpjegova se nuk vij nga një familje e komunistëve, përkundrazi vij nga një familje e prekur nga komunizmi, por pse të mos përfitojmë diçka nga historia jonë”.

“Unë mendoj se turisti këtu nuk duhet të vij vetëm për plazhin, duhet të vij për kulturën për ato që ne i kemi kaluar për 50 vjet, për atë që kemi vuajtur dhe e mira është që duhet ta reklamojmë atë që e kemi vuajtur dhe mos ta harrojmë kurrë”.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Disa nga koleksionet e tij, Cukani i ka të ekspozuara në kafenenë që e drejton, objekti i të cilës më herët ishte kazermë italiane, njofton Klan Kosova.

“Jam koleksionues edhe i kartëmonedhave të ndryshme si dhe i pesë vespave, dy nga ato i kam këtu të ekspozuara në kafenenë time njëra është  prodhim i vitit 1966 dhe tjetra prodhim i vitit 1974”.

“Kam edhe letra këmbimi të ushtarëve belgë dhe gjermanë të  cilat janë realizuar gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore. Ato rastësisht i bleva në Itali, janë komunikime me familjarët, me mamatë dhe me të dashurat”.

Dashuria e tij për të vjetrën nuk përfundon këtu, ai në një pjesë të lokalit të tij e ka të vendosur botimin e fundit të gazetës shqiptare “Drita”.

“Vendosa botimin e fundit të Gazetës “Drita” në mur i vitit 1994, rastësisht i kisha koleksionuar edhe disa postera të propagandës të regjimit socialistë që i vendosa edhe ato, këtu kemi edhe kodin e parë të  punës të regjimit socialistë. Këto janë interesante për turistët ata vazhdimisht vijnë i shikojnë”.

Koleksionuesi ka theksuar se objekti i kafenesë së tij është i ndërtuar në vitin 1929, “Ishte ndërtuar për t’u bërë kazermë e ushtarëve italiane. Me mbarimin e luftës së dytë botërore kjo kazermë ka shërbyer si magazinë për frutat e thata që vinin nga fshatrat përreth, pikërisht nga Kanina”.

“Me kalimin e kohës gjatë vitit 1958 regjimi këtu përballë kishte vendosur të bënte Teatrin” Petro Marko”, ku kazerma ishte bërë qendër tregtare dhe si qendër banimi. Pastaj me kalimin e kohës u vendosën që të bëhen lokale. Unë e mora njërin duke e ditur pak historikun, dhe rastësisht zbulova këtë mrekulli, këto mure të asaj kohe”.

“Dhe kështu vendosa ta bëjë një lokal që do të ishte më ndryshe se lokalet tjera. Muret që i ka lokali nuk i kam prekur hiç janë ashtu siç kanë qenë me gurë. Duke patur gjithmonë dëshirën për të koleksionuar gjëra të vjetra duke i dhënë jetë të vjetrës, kisha gjëra të vjetra që i kisha koleksionuar që i kisha në një garazh dhe dalë nga dalë i vendosa këtu”, ka thënë Cukani.

.

NA NDIQ NË FACEBOOK