Connect with us

Lajme

Amerika e ka futur në listë të zezë deputetin rus që e inicioi Gjykatën Speciale

Publikuar

Konstantin Kosachev ndodhet prej tre vitesh në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diplomati rus, i cili përgatiti raportin prej nga buroi ngritja e Gjykatës Speciale në Hagë, dyshohet për manipulimin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në ShBA. I ndëshkuar mbi dyshimet për ndërhyrje në zgjedhje është edhe Oleg Deripavska, oligarku i afërt me Vladimir Putinin.

Në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 2018 figuron i pranishëm një emër i njohur në Kosovë: Konstantin Kosachev.

Diplomati rus, i cili në vitin 2008 inicioi në Këshillin e Evropës një rezolutë mbi krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën e Kosovës, ndodhet në mesin e 24 shtetasve rusë ndaj të cilëve Ministria e Financave të ShBA-ve vendosi sanksione të ashpra më 6 prill të 2018-s.

Kosachev, një senator i kahershëm i Parlamentit të Rusisë, dhe 23 të ndëshkuarit e tjerë nga ShBA-të dyshohen për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA dhe “veprimtari të tjera keqdashëse”. Sanksionet parashohin ngrirjen e pasurive të tyre në SHBA dhe një ndalesë të të bërit biznes me qytetarët amerikanë.

Për pretendimet e ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale në ShBA, një agjent britanik identifikoi përfshirjen e Konstantin Kosachevit teksa po hulumtonte lidhjet ruse të ish-presidentit Donald Trump gjatë fushatës elektorale të 2016-s.

Ish-spiuni britanik, Christopher Steele, në dosjen e tij përgatitur për çështjen Trump, raporton se Kosachev ishte përfaqësues i Kremlinit në një takim sekret të mbajtur në fund të verës së vitit 2016 me avokatin e Donald Trump.

Takimi, sipas agjentit britanik, ishte mbajtur për të diskutuar mbi fshehjen e provave të ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë për t’i ndihmuar manjatit amerikan në garën ndaj Hillary Clinton. Sikurse Kosachev, ashtu dhe avokati Michael Cohen, kanë mohuar ekzistencën e këtij takimi.

Masat ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër Kosachevit, janë ende në fuqi. Aktualisht, përveçse shërben si senator në Parlamentin e Federatës Ruse, Kosachev mban edhe pozitën e kryesuesit të Komitetit për Punë të Jashtme në parlament.

Në mesin e 24 të ndëshkuarve me sanksione nga SHBA-të është edhe Oleg Deripavska, një manjat rus i industrisë së aluminit. Depiravska, i afërt me pushtetin e Vladimir Putinit në Federatën Ruse, në të kaluarën ka zhvilluar aktivitete të dyshimta në Mal të Zi, shtetin fqinj të Kosovës.

I vendosur në listën e zezë të SHBA-ve në të njëjtin vendim me Kosachevin, miliarderi rus po ashtu dyshohet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Emri i tij është përmendur si i dyshuar në hetimet e zhvilluara nga këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, në lidhje me përfshirjen ruse në zgjedhjet e 2016-s në SHBA.

Oleg Deripavska, konsiderohet përgjegjës për falimentimin e fabrikës për prodhimin e aluminit në Mal të Zi, KAP. Manjati rus, si pronar i kompanisë CEAC, kishte privatizuar ndërmarrjen malazeze KAP në vitin 2010. Katër vjet më vonë, ndërmarrja kishte falimentuar.

Falimentimi i fabrikës kishte përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, me Deripavskan që kishte kërkuar dëmshpërblim në vlerë prej 600 milionë euro nga Mali i Zi. Në vitin 2019, Mali i Zi kishte fituar kontestin me Deripavskan.

“Raporti i ndyrë” i diplomatit rus kundër UÇK-së

Emri i Konstantin Kosachevit nuk ishte përmendur shpesh në Kosovë.

Nismëtari i një dokumenti që më vonë u njoh si “Raporti i Dick Martyt”, ishte përmendur vitin e kaluar si përgjegjësi kryesor për inicimin e këtij raporti nga kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, asokohe në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme.

Në një intervistë në televizionin RTV Dukagjini më 24 prill të vitit të kaluar, Konjufca tregon se si duke hulumtuar në arkivat e Këshillit të Evropës, pjesëtar i së cilit ishte përgjatë viteve 2011-2015, kishte mbledhur fakte mbi nismën e një mocioni për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve” gjatë luftës në Kosovë. Iniciuesi i mocionit mbante autorësinë e Konstantin Kosachev.

“Në arkiv e kam gjetur mocionin i cili është dorëzuar në Komitetin Juridik dy javë pas publikimit të librit të Carla Del Pontes. Mocionin e kishte dorëzuar Konstantin Kosachev”, kishte deklaruar Konjufca.

Konjufca, një studiues i Raportit të Dick Martyt, e cilësonte këtë raport si “të ndyrë, me shprehje raciste për shqiptarët” dhe të buruar nga Konstantin Kosachev.

Si përfaqësues i Federatës Ruse në Këshillin e Evropës, Kosachev kishte iniciuar rezolutën për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve.” Propozimi i deputetit rus ishte përkrahur nga deputeti serb në KE, Milos Aligrudiq dhe 15 deputetë të tjerë, shumica prej të cilëve nga Evropa Lindore.

Komisioni për Çështje Juridike dhe të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, pas pranimit të mocionit nga Kosachev, kishte emëruar Dick Martyn si raportues, një eksponent i hapur kundër bombardimeve të Serbisë në vitin 1999 dhe kundër shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008.

Senatori zviceran, Dick Marty, e kishte marrë rezolutën e hartuar nga Kosachev në vitin 2010 dhe e kishte publikuar raportin e plotë në emër të Këshillit të Evropës një vit më vonë.

Bazuar mbi raportin e ish-senatorit zviceran dhe me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës miratoi më 2016 themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihet si Gjykata Speciale. Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Gjykata ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

E themeluar pesë vjet më parë, Gjykata Speciale ka arrestuar dhe ngritur aktakuza ndaj tetë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I arrestuari i parë, më 24 shtator të vitit të kaluar, ishte Salih Mustafa, njëri prej themeluesve të UÇK-së në Zonën e Llapit. Një muaj më vonë, gjykata urdhëroi arrestimin e dy krerëve të OVL së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ndërkaq në nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti një aktakuzë ndaj katër krerëve të lartë të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli. Rreth tri javë më parë, në Qendrën e Paraburgimit të Hagës u transferua edhe Pjetër Shala, një ish-pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit.

.

Maqedoni53 minutes ago

Snopçe: ASH dëshiron që diaspora të votojë si elektronikisht ashtu edhe me postë, por nuk i mbështesim tre zonat zgjedhore të posaçme

Shqipëri1 hour ago

Aktori nxjerr prapaskenat: Protesta e kreu misionin e saj, tani është marrë në dorë nga PD!

Lajme2 hours ago

AUV demanton rezultatet e pretenduara nga “Vita”: Mostrat ende në analizë

Maqedoni3 hours ago

Janevska: Shteti ua mbulon tërësisht shpenzimet nxënësve që përfaqësojnë vendin në olimpiadat shkencore

Maqedoni3 hours ago

Daut Beqiri: Nisin punimet për zgjerimin e varrezave në Haraçinë

Shqipëri4 hours ago

Debate te “Ekonomia” për Censin në bujqësi të para 14 viteve, opozita vë në dyshim kriteret për subvencionet për fermerët

Lajme5 hours ago

Daut Memishi: Janë siguruar projektet për pastrimin dhe rregullimin e urës në lumin “Lumbardh” në Tearcë dhe vazhdimin e trotuarit në fshatin Odër

Lajme5 hours ago

Sali nga Dibra: Shteti duhet të ecë përpara, opozita do ti humb zgjedhjet e ardhshme

Maqedoni7 hours ago

Hoxha: Procedura e tenderimit ka përfunduar, së shpejti fillon ndërtimi i stacionit për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë

Bota7 hours ago

Jason Steinbaum: Obama instistoi në Gjykatën Speciale, si koncesion politik Rusisë për marrëveshje me Iranin

Lajme7 hours ago

Hoxha njofton mbylljen e tenderit, pritet të nisë së shpejti ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë

Maqedoni7 hours ago

Zjarri në Koçan: Ekspertiza e telefonave zbuloi rrjedhje informacioni mbi kontrollet e MPB-së dhe DAP-iT

NA NDIQ NË FACEBOOK