Lajme
“Akuzat ndaj meje u bazuan tek…”/ Adriatik Llalla flet për shpalljen non grata dhe debatet

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla thotë se thotë se faktet mbi të cilat iu referua Departamenti Amerikan i Shtetit për ta shpallur person non grata, janë të çuditshme për të.
Sipas tij, akuzat që ai i konsideron shpifje kanë dalë nga një portal që Llalla e konsideron anonim dhe se këto akuza synonin shkatërrimin e karrierës së tij.
“Faktet që ju referuan DASH janë të çuditshme për mua. Unë do të ju referohem një përgjigje që vetë DASH i ka kthyer prokurorisë shqiptare lidhur me të dhënat që ata kërkuan për arsyen e ndalimit. Nuk ka asnjë fakt, siç u citua. Del qartë që DASH thotë se ka një informacion në publikun e gjerë, por se kush është ky informacion, prej shumë vitesh juve si gazetar, nuk ka ndodhur ndonjë rast që një qytetar, shtetas, gazetar, përfshirë edhe ai individi që përmendëm më përpara të më thotë një rast korrupsioni në të cilin Llalla është i përfshirë, në një çështje të caktuar temë të caktuar korrupsioni. Opinioni i DASH është krijuar në bazë të këtij portali anonim të krijuar nga ky ish-deputet. Nuk ka tjetër, nuk ka pasur asnjë të dhënë tjetër publike. Përgjigja i referohet një opinioni të gjerë publik, përveç një portali që u krijua kundër rregullave duke u betuar përditë se do të më shkatërronte mua dhe familjen time, etj. Qëllim që deri diku ka arritur ta realizojë duke e kthyer në një konflikt personal e jo vetëm ligjor”, thotë Llalla në Syritv.
Ai u ndal edhe tek marrëdhëniet me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu, duke theksuar se debati me të u kthye në personale. “Marrëdhëniet e mia me ambasadorin u kthyen në një debat personal. Lidhur më shumë me qëndrimet që unë mbaja për çështje të caktuara. Ajo që është për tu theksuar që është një lloj nënvlerësimi që ne shqiptarët i bëjmë vetes tonë është se përulemi përpara çdo të huaji që vjen në vendin tonë. Pikërisht kjo ndodhi edhe me ambasadorin Lu. Kemi pasur disa herë debate për tema të caktuara për të cilat ndërhynte ose kërkonte të impononte mënyrën se si ai e vlerësonte zgjidhjen. Një ndër temat e diskutuara në debate ka qenë edhe Reforma në Drejtësi”, shtoi ai.
Keni qenë kundër reformës…
Llalla: Nuk kam qenë kundër reformës. Sistemi i drejtësisë kishte nevojë për tu reformuar, jo për tu sulmuar. Unë kam qenë kundër sulmit në bllok që po bëhej ndaj punonjësve të sistemit të drejtësisë. Të gjithë u hodhën kundër punonjësve të sistemit të drejtësisë, atyre që në ditët më të vështira, në vitin 1997, punuan në çdo cep të vendit. Prokurori i Gjirokastrës i cili mbronte prokurorinë me armë. Në Vlorë, Lushnje, Berat, e kudo tjetër. Këta njerëz nisën të sulmoheshin dhe etiketoheshin si kriminel, që realisht janë njerëz që punonin ndershmërisht. Sulm në bllok, duke përfshirë edhe presidentin Nishani që ishte i pari që sulmonte punonjësit e drejtësisë dhe të gjithë me radhë.
Ju ka sulmuar dhe presidenti Nishani?
Llalla: Mua personalisht jo, por sistemin e drejtësisë. Nishani, Dedja, kryetari i gjykatës së lartë e të gjithë me radhë u hodhën të gjithë kundër punonjësve të sistemit me idenë se mund të siguronin privilegje në të ardhmen. Në daljet publike kam qenë i vetmi zyrtar i cili kam qenë kundër luftës në bllok që po i bëhej njerëzve të drejtësisë.
Ju keni qenë i zgjedhur nga Nishani si kryeprokuror. A ja keni thënë Nishanit se pse po e sulmoni drejtësinë në bllok?
Llalla: I kam thënë Nishanit, Metës dhe kujtdo tjetër, që ky nuk është veprimi i duhur. Ne nuk mund të demotivojmë pjesën pozitive. Një nga debatet me Donald Lu ka qenë pikërisht kjo. Sepse nuk mund të sulmohet në bllok të gjithë punonjësit e sistemit, sepse po demotivojmë pjesën pozitive të punonjësve të sistemi te drejtësisë dhe fakti po e tregon se jo të gjithë mund të futen në një kallëp, sepse vettingu po tregon se pjesa më e madhe po e kalon këtë proces.
Gjatë kohës që ishit në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, u përfshitë në një debat të ashpër, madje edhe me akuza personale me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu. Përse kjo përplasje? A nuk mund të kishit një qëndrim më luajal dhe të shmangnit kursin e debateve me përfaqësuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Me Donald Lu debati u kthye në konflikt personal. Filluan debatet mediatike, sulmet e ndërsjellta pa pasur asnjë arsye madhore, përveç faktit se në natyrën e tij, ose ashtu kishte gjetur rrugën në shumë institucione të tjera, synonte të bëhej ashtu siç donte ai. Në një moment që ata nuk perceptonin dot mendimin ndryshe, mendimin e një drejtuesit të një institucioni të shtetit shqiptar.
Pra fillimisht me Donald Lu përplasja ishte për reformën në drejtësi, nuk pranonte asnjë lloj mendimi ndryshe nga ai?
Fakti tregon se ky proces reforme siç erdhi, u implementua pa marrë mendimin e askujt brenda sistemit. Prokuroria përshembull, çoi anëtarë të grupit të punës, dy nga anëtarët më të mirë që kishim. Fatkeqësisht të dy janë larguar nga sistemi, si Dritan Rreshka dhe Henrik Ligori. Ishin pjesë e grupit të punës, por realisht nuk dhanë ndonjë kontribut sepse mendimi i tyre nuk u mor asnjëherë në konsideratë. Në bindjen time, unë kam qenë gjithmonë që akuza të mos decentralizohej, por të ishte një institucion i centralizuar. Tashmë me ndryshimet ligjore nuk është më ai institucion i centralizuar dhe mendoj se rrjedha që ka marrë nuk është më ai institucion serioz shtetëror.




















