Sport
19-vjeçarët kuqezinj mposhtin Tiranën U-21


Kombëtarja shqiptare e 19 vjeçarëve ka zhvilluar ditën e enjte një ndeshje miqësore kundër 21 vjeçarëve të Tiranës.
Ndeshja e zhvilluar në ambientet e qendrës stërvitore Kamëz përfundoi në favor të kuqezinjve me rezultatin 2-1. Ekipi i drejtuar nga trajneri Armando Cungu zhvilloi një lojë mjaft të mirë, duke kaluar të parët në avantazh me një gol të shënuar nga sulmuesi Kurbasha, i cili aktivizohet në Suedi, që në pjesën e parë të takimit. Golin e dytë për kuqezinjtë e shënoi mesfushori i Tiranës, i ardhur nga stoli, Klevi Qefalija.
Ditën e djeshme, trajneri Cungu ftoi në grumbullim edhe mesfushorin e Tiranës, Klevi Qefalija, pas largimit nga Kombëtarja të Marçelino Prekës, i cili u thirr në grumbullimin e Kombëtares U-21 nga trajneri Alban Bushi.
Kombëtarja U-19 ka zhvilluar disa teste të këtilla, që i shërbejnë Armando Cungut për të vlerësuar elementet në skuadër dhe për të testuar gjendjen e skuadrës.























