Connect with us

Lajme

“Veritas” godet sërish, publikon dokumente tjera për “plagjiatorët” në Universitetin e Tetovës

Publikuar

Nisma Intelektuale për Rritjen e Cilësisë në Arsimin Universitar – NIRCAU, përmes një e-maili ka dërguar në adresën tonë numrin e ri të revistës “Veritas”, ku siç thuhet, vazhdon denoncimi i plagjiaturave dhe keqpërdorimeve në Universitetin e Tetovës. Sipas k;saj nisme, ky universitet së fundmi ka filluar të “privatizohet”, duke aluduar në nepotizmin e madh që po mbizotëron brenda UT-së, përcjell in7.

“Korrupsioni akademik, ky treg jo i ligjshëm që merret me shitblerje, mashtrim akademik, dhe shumë vepra tjera që janë sinonim i problematikës të cilën e kemi hulumtuar tash e disa muaj, e që konkretisht ka të bëje me hulumtimet plagjitaurë, dhe servohet nga profesorë të këtij fakulteti, të cilat nuk janë pak, e ndërkaq askush nuk po ua zë rrugën e ti ndaloj në kryerjen e kësaj vepre. Dëmi që shkakton kjo dukuri është i pamatshëm në kontekstin e efekteve që prodhon ajo, duke qenë se kjo dukuri bën të mundur përligjjen e një kuadri të pakompetencë i cili mëpastaj si i tillë do i shërbejë gjeneratave vijuese duke krijuar standarde “normale”. Edhe pse ky mashtrim akademik ekziston, udhëheqësia e këtij universiteti e zhytur në krim vazhdon të mbajë sytë mbyllur, të mbroj dhe të shtiren kinse nuk e kuptojnë se profesorët e studentët e tyre, mes tyre ‘kapua’ Nexhbedin Beadini, i cili vazhdon me keqpërdorimet në këtë institucion”, thuhet në kumtesën e dërguar bashkë me revistën nga Nisma Intelektuale për Rritjen e Cilësisë në Arsimin Universitar – NIRCAU.

Në parathënien e revistës “Veritas” sqarohet se çka përmban ky numër i saj, ndërsa synimi i autorëve të saj, thuhet se nuk është sulmi ndaj Universitetit të Tetovës, por ndaj individëve që sillen sikur ata janë universiteti vetë. Universiteti i Tetovës sipas tyre, po dëmtohet jo vetëm nga plagjiatorët, por edhe nga ata që heshtin ndaj këtij fenomeni.

“Ata që mendojnë se Universiteti është pronë e tyre nuk janë asgjë më shumë se sa emra të përveçëm që sillen si ushujza dhe nuk ngopen së thithuri gjakun e atij Universiteti. Më e pakta që ata mund të bëjnë në këto momente është dorëheqja morale, dhe mos të vazhdojnë ti hapin më shumë plagë e ta baltosin me veprat dhe emrin e tyre atë tempull të dijes, për të cilin shumë qytetarë kanë sakrifikuar familjet, pronën dhe jetën e tyre. Nëse vazhdon mbrojtja e këtyre individëve, atëherë do të vërtetohen jo vetëm faktet por edhe dyshimet e shumta se për komoditetin e tyre kujdesen jo vetëm udhëheqësia e atij institucioni, por edhe strukturat e tjera të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për tregtarin dhe matrapazin e zellshëm Nexhbedin Beadini, nuk kemi çka të shtojmë më tepër PËR MOMENTIN, sepse për bëmat e tij ka dëgjuar tashmë çdokush, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë, ajo që mund të themi tani është se, në këto raste, ajo që i dallon shoqëritë demokratike dhe të arsimuara nga ato të prapambetura, është mënyra se si intelektualët, profesorët, studentët dhe qytetarët bashkohen për të reaguar ndaj skandaleve të tilla, fundja për të mbrojtur edhe dinjitetin, mundin dhe intelektin e tyre. Për këtë mjafton të paktën distancimi publik nga akte të tilla. Përndryshe, Plato ka thënë “heshtja është aprovim”, një aprovim që na bën palë me “banditët akademik” të cilët dita ditës po kalbin themelet e kësaj shoqërie”, thuhet mes tjerash në parathënien e revistës, të cilën in7 po e publikon të plotë.

Në këtë numër të “Veritas” publikohen plagjiatura të reja nga personat e përmendur edhe në numrin e kaluar, ndërsa sulmohet edhe vetë Rektori i UT-së, por edhe Inspektorati i Arsimit, për siç thuhet, moskryerjen e detyrës së tyre kundër këtij fenomeni në këtë universitet.

Skandali me plagjiaturat në UT “plasi” para disa javësh kur e njëjta nismë publikoi numrin e parë te revistës, e cila u publikua e plotë në in7.tv . Për plagjiaturat, u deklarua ish dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Kastriot Haxhirexha, i cili pohoi se këto pretendime ishin të sakta. Sipas tij, për këtë kanë qënë të njoftuar edhe drejtuesit e Universitetit të Tetovës, ndërsa reagimi i tij për çështjen e plagjiaturave i kishte kushtuar atij “shkarkimin nga pozita e dekanit”.

Nga Universiteti i Tetovës theksuan se ndjekin e vëmendje zhvillimet, porse kishin dyshime mbi publikuesit e tyre, të cilët ishin anonim.

“Universiteti i Tetovës e ndjek me vëmendje publikimin e “informacioneve”, që hedhin dyshime për hulumtimet shkencore të disa profesorëve në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë. Edhe pse nuk është në detyrën e institucionit tonë që t’i komentojmë “zbulimet” e “revistave” me autorë anonim, e njoftojmë opinionin publik se veprimtaria arsimore, hulumtuese shkencore e njësive akademike në Universitetin e Tetovës, zhvillohet në përputhje dhe respekt të plotë të kritereve shkencore. Avancimet akademike, mbrojtja dhe publikimi i punimeve shkencore u nënshtrohen mekanizmave filtrues, që e verifikojnë apo e skualifikojnë një kontribut të caktuar hulumtues”, thuhej mes tjerash në reagimin e UT-së.

Disa ditë pas publikimit të skandalit, pati edhe një debat mes ish dekanit, Kastriot Haxhirexha dhe ish rektorit të akuzuar për plagjiaturat, Nexhbedin Beadini. Në UT hyri edhe Inspektorati i Arsimit për të bërë hetimet e nevojshme. Ende nuk ka ndonjë epilog të qartë rreth kësaj çështjeje./in7.tv/

Lexo këtu – REVISTA VERITAS

NA NDIQ NË FACEBOOK