Lajme
Opozita në Strugë me kandidat nga qyteti/ Bekim Tateshi dhe Mustafa Zabzun i prijnë listës

Zgjedhjet lokale po afrohen, ndërsa partitë politike po bëjnë kalkulimet e fundit para nxjerrjes së kandidaturave. Njëra nga komunat ku gara pritet të jetë më interesante dhe vendimtare, do të jetë padyshim Komuna e Strugës, mëson Zyrtare.net
Nga BDI tashmë është thuajse e sigurt se kandidati për kryetar do të jetë Jeton Shaqiri, Ministër për Shoqëri Informative dhe Administratë dhe njëri nga njerëzit më të afërt të kryetarit aktual, Ramiz Merko. Shaqiri është edhe profesor në universitetin privat të Merkos dhe llogaritet si kuadër i tij.
Nga partitë e koalicionit opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, siç duket po bëhen plane që të luajnë me kandidat nga qyteti. Siç mësojmë nga burime të brendshme, Aleanca për Shqiptarët po bën sondazhet e fundit brenda anëtarësisë, por edhe në trupin votues në territorin e Strugës. Në pozitë më të favorshmë sipas sondazheve, duket se janë dy emra të njohur të kësaj partie. Ish kryetari i komunës dhe mjeku i njohur, Mustafa Zabzun dhe Bekim Tateshi, shef i Departamentit të Mjekësisë e themelues i Aleancës, janë dy emrat më seriozë që mund ta fitojnë pëlqimin nga strukturat e partisë për të qënë kandidat për kreu e Strugës.
Garimi me kandidat nga qyteti thuhet se është edhe kërkesë e partnerit të koalicionit, Alternativa./ Zyrtare.net




















