Sport
Në Angli luhet për zonën Champions, Reali synon rikthimin te fitorja


Barazimi ndaj Leeds ka lënë Liverpoolin sërish jashtë renditjes së zonës Champions në premier League, ndaj “the reds” janë të dënuar të fitojnë pasditen e sotme ndaj Newcastle, për të mos komplikuar objektivin e vetëm të mbetur në kampionat.
Pas një jave të trazuar për shkak të lajmit për krijimin dhe më pas dështimin e Super Ligës europiane për klube, ku ndër nismëtarët ishin edhe “the reds”, këta të fundit do të zbresin sot në orën 13:30 në “Anfield Road” për t’u përballur me Newcastle.
“Qymyrxhinjtë” kanë grumbulluar 7 pikë në 3 javët e fundit dhe i janë larguar zonës së ftohtë, megjithatë do të bëjnë maksimumin për të mos dalë pa pikë edhe në transfertën ndaj Liverpoolit.
Po nga kampionati anglez, në orën 18:30 vëmendja do të spostohet në Londër, ku West Ham do të përballet me Chelsean në një sfidë direkte për zonën Champions, pasi aktualisht të dy skuadrat ndajnë vendin e 4-t dhe të 5-të me nga 55 pikë secila.
Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në Spanjë, ku Reali i Madridit do të përballet me Betisin në stadiumin “Alfredo Di Stefano” të kryeqytetit spanjoll.
Los Blancos bënë një hap fals në mesjavë dhe i dhanë mundësi Atleticos e Barcelonës ta parakalojnë, por janë sërish në garë për titull dhe sot do të provojnë rikthimin menjëherë te fitorja.






















