Connect with us

Lajme

Meta: Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten gjithmonë të shkëlqyera

Publikuar

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, teksa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin në votime, ka komentuar dhe situatën e fundit të marrëdhënieve të tij me ambasadoren amerikane, Yuri Kim.

“Marrëdhënia me ambasadoren ka qenë gjithmonë e shkëlqyer”, është shprehur Presidenti Meta në një prononcim për media nga Fieri, raporton TopChannel.

Presidenti thotë se primare është mbarëvajtja e procesit të zgjedhjeve pasi është vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në.

“Marrëdhënia me ambasadoren ka qenë gjithmonë e shkëlqyer, e shkëlqyer. Primare është mbarëvajtja e këtij procesi, pasi është vendimtar për hapjen e negociatave me BE-në. Marrëdhëniet e mia me SHBA-të do të mbeten të shkëlqyera. Zgjedhjet janë të mrekullueshme, kudo janë të mrekullueshme, në Shijak të mrekullueshme, kudo është fantastike”, është shprehur Presidenti Meta.

Meta pastaj ka vizituar Vlorën ku ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në zgjedhje.

“Kam një mesazh për qytetarët, pjesëmarrje, pjesëmarrje, pjesëmarrje që të tregojmë se e kemi kuptuar rëndësinë dhe fuqinë e votës sonë se vetëm barazia e votës na garanton barazinë e ligjit për veten dhe për fëmijët tanë. Kjo është ditë historike sepse jemi njohur si vend problematik për standardet e zgjedhjeve dhe kjo ka mbajtur peng çeljen e negociatave. Është e domosdoshme që kjo ditë të vazhdojë këtu derisa të mbyllet procesi i votimit”.

“Të mos harrojmë se për votën e lirë janë martirizuar shumë njerëz. Kjo është domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj dhe unë besoj shumë që pjesëmarrja shumë e lartë në të gjithë vendin do të vijojë dhe besoj se edhe këtu në Vlorë pavarësisht prej vështirësive dhe problemeve që kanë pasur emigrantët, përsëri mendoj që Vlora i ka mundësitë të vazhdojë të japë kontributin e saj. Të shkojnë me qetësi drejt qendrave të votimit, të votojnë për atë që besojnë se është alternativa më e mirë. Për ne më e rëndësishme është bashkëjetesa demokratike se rezultati”.

Ai ka thënë se të gjithë shqiptarët i kanë sytë tek Shqipëria sot.

“Nuk mundet kurrë një qytetar nesër t’i kërkojë llogari parlamentit, deputetit që nuk e voton, t’i kërkojë llogari qeverisë që do të krijohet, Presidentit të ri që do të zgjidhet nga ky parlament. E drejta e llogaridhënies fillon tek vota dhe kjo është e domosdoshme që të gjithë ta ushtrojnë këtë të drejtë. Vlora ka qenë është dhe do të jetë edhe më shumë pas kësaj dite Vlora me të cilën krenohen të gjithë shqiptarët”.

“Do të jetë Vlora që në një moment historik do të thotë fjalën e saj. Unë jam këtu për shkak të rëndësisë që ka integriteti i procesit. Ky është shesh që është i gjithë shqiptarëve. Prandaj zgjodha këtë shesh. Sa më e lartë të jetë pjesëmarrja edhe unë jam optimist”, ka thënë ai nga Vlora, raporotn Klan.al.

 

.

NA NDIQ NË FACEBOOK