Sport
Leipzigu mposht Stuttgartin, Gladbachu shkatërron Arminian


Leipzigu triumfoi 2-0 përballë Stuttgartit në “Red Bull Arena”, duke konsoliduar vendin e dytë në Bundesligë, ku Bayerni kryeson me shtatë pikë më shumë. “Demat e Kuq”, gjithsesi, vështirë se mund të pretendojnë për titullin kampion.
Në fakt, sfida ndaj Stuttgartit u kushtëzua nga ndëshkimi me karton të kuq i Ahamadas që në minutën e 14-të, me miqtë që mbetën në inferioritet numerik për thuajse 80 minuta lojë.
Sapo nisi pjesa e dytë, Leipzigu zhbllokoi ndeshjen me Haidaran, ndërsa në minutën e 67-të realizoi golin e sigurisë për vendësit Forsberg.
Fitore e thellë 5-0 e Borussias së Moenchengladbachut ndaj Arminias së Bielefeldit, rezultat që vështirëson pozitat e skuadrës mike në garën për mbijetesë.
Gladbachu e nisi vrullshëm sfidën, duke shënuar plot tre gola në vetëm 18 minuta lojë. Embolo realizoi të parin në minutën e 6-të, ndërsa në të 15-tën dyfishoi shifrat Thuram. Vetëm tre minuta më vonë Bensebaini i dha një tjetër goditje të rëndë Arminias me golin e 3-0, që u shënua me 11-metërsh. Në pjesën e dytë vendësit mbyllën llogaritë me Embolo, që realizoi të dytin personal dhe të katërtin e sfidës dhe Plean për rezultatin përfundimtar 5-0.






















