Connect with us

Lajme

INTERVISTË/Boiken Abazi: Zotohemi se do të jemi një zë i pakompromentuar në Kuvendin e Shqipërisë

Publikuar

Boiken Abazi, kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka thënë se do të përpiqen t’i hapin rrugën ndryshimit tërësor të politikës atje.
Abazi që kandidon në zgjedhjet parlamentare të 24 marsit në Shqipëri, për Qarkun e Tiranës në një intervistë për klankosova.tv  ka shpalosur edhe planprogramin e këtij subjekti politik.
“Ne zotohemi në programin tonë të jemi një zë i pakompromentuar dhe i pakorruptueshëm në parlament. Transparency International ditët e fundit nxori një raport se si në Shqipëri parlamenti voton sipas dëshirave të oligarkëve. Ne do të veprojmë sipas interesit të qytetarëve, dhe programit tonë. Gjithnjë me transparencë”.
Sipas tij, slogani me të cilin garojnë “Krejt Tjetër” paraqet dëshirën e secilit qytetar për të përmirësuar mirëqenien, për të shtyrë rininë të qëndrojnë e mos të emigrojnë jashtë, e për ta ndalur korrupsionin.
“Ne jemi aktivistë për të njëjtat ideale, dhe sigurisht që ngjajmë në komunikimin tonë publik edhe në Shqipëri e Kosovë. Slogani ynë në Shqipëri është KREJT TJETËR, sepse paraqet dëshirën e secilit qytetar për të përmirësuar mirëqenien, për të shtyrë rininë të qëndrojnë e mos të emigrojnë jashtë, e për të ndalur korrupsionin. Partitë e tjera nuk kanë programe e politika, por vetëm gënjeshtra, prandaj duam të themelojmë një politikë krejt tjetër, që e mban fjalën. Një politikë të së vërtetës”.
Abazi ka pohuar se bashkimi Kosovë-Shqipëri do të ndodhë, siç tha ai “paqësisht e demokratikisht, përmes referendumeve”. Ai shton se për të arritur deri aty, duhet bërë shumë punë.
“Për të arritur deri aty, duhet bërë shumë punë. Ende qeveritë tona nuk kanë zbatuar as marrëveshjet sektoriale që vetë i kanë lidhur. Me qeverinë e re të Albin Kurtit në Kosovë kjo gjë do të ndryshojë. Bashkimi na sjell siguri, zhvillim ekonomik, paqe të qëndrueshme dhe demokraci”.
Intervista e plotë:

◦ Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Tiranë në këto zgjedhje parlamentare në Shqipëri ka tre kandidatë për deputetë, na tregoni se cilat janë pikat e planprogramit tuaj dhe si e mendoni ekzekutimin e tyre?

Në këto zgjedhje parlamentare ne po kandidojmë në Gjirokastër me Kreshnik Merxhanin, Lezhë me Iliaz Shehun dhe në Tiranë, unë. Ne jemi kandidatë nga qytetarët, pra të pavarur, dhe numri ynë në fletëvotim është 13. Ndaj kemi dalë secili me 13 pika programore. Tre nga këto pika programore janë përshtatur sipas problematikave dhe nevojave të secilit Qark.
Duke qenë tre kandidatë, ne premtojmë se nuk do të jemi në asnjë qeverisje të asnjë force tjetër, por vetëm do të përpiqemi t’ia hapim rrugën ndryshimit tërësor të politikës, i cili është i domosdoshëm dhe do të vijë në të ardhmen.
Kështu që, ne zotohemi në programin tonë të jemi një zë i pakompromentuar dhe i pakorruptueshëm në parlament. Transparency International ditët e fundit nxori një raport se si në Shqipëri parlamenti voton sipas dëshirave të oligarkëve. Ne do të veprojmë sipas interesit të qytetarëve, dhe programit tonë. Gjithnjë me transparencë.
Ne do të bashkëpunojmë dhe do të lobojmë në Kuvend për rritjen e buxhetit të shëndetësisë, prej 5.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, deri në mesataren evropiane prej 9.9% të PBB. Ky buxhet duhet të investohet në pajisje e teknologji, për të mundësuar zhvillimin e shkencës dhe të profesionit të mjekut në nivele bashkëkohore. Do të kërkojmë paga dinjitoze për mjekët dhe personelin shëndetësor.
Do të kërkojmë vazhdimisht përkrahje për sipërmarrjet që punësojnë në mënyrë të rregullt dhe që zbatojnë të drejtat e punëtorëve, si dhe për subvencionin e investimit në sektorët me potencial konkurrues, ku përveç teknologjisë së re duhet të përfshihen dhe sektorët tradicionalë të bujqësisë e blegtorisë si dhe industria e lehtë përpunuese për prodhimet e fshati.
Jemi për arsim publik dhe falas, dhe do të lobojmë që buxheti për arsimin të rritet, prej 3.6% të PBB që është sot, drejt 4.7% që është mesatarja në BE.
Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që disa linja veprimi kundër pabarazisë dhe dhunës gjinore të vendosen në rend të ditës: paga të barabarta për punën e njëjtë; kushte të denja pune; mbrojtje institucionale për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore; reagime emergjente dhe dënime më të rrepta për aktet e dhunës mbi gratë; ndëshkime për fyerjet a denigrimin për shkak të gjinisë si dhe largimi i menjëhershëm i zyrtarëve kur vërtetohet se kanë neglizhuar të veprojnë në parandalimin e dhunës apo kanë abuzuar fizikisht a verbalisht dikë për shkaqe gjinore.
Për mjedisin, ne do të lobojmë që riciklimi të kthehet në praktikë të detyrueshme me ligj, duke synuar edhe eliminimin e përdorimit të qeseve plastike, edhe zhvillimin e administrimit të mbetjeve sipas praktikave të Bashkimit Evropian. Lumi Vjosë duhet të shpallet Park Kombëtar, duke vlerësuar edhe potencialin e trashëgimisë kulturore të Luginës së Vjosës me përparësi për listimin në UNESCO. Lumi i Valbonës duhet të shpëtohet prej digave, sepse Alpet Shqiptare janë pasuri kombëtare.
◦ Slogani i juaj për këtë fushatë zgjedhore është pothuajse i ngjashëm me sloganin e LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, “Krejt Tjetër” dhe “Krejt dhe Drejt”, cili është kuptimi i sloganit tuaj?
Ne jemi aktivistë për të njëjtat ideale, dhe sigurisht që ngjajmë në komunikimin tonë publik edhe në Shqipëri e Kosovë. Slogani ynë në Shqipëri është KREJT TJETËR, sepse paraqet dëshirën e secilit qytetar për të përmirësuar mirëqenien, për të shtyrë rininë të qëndrojnë e mos të emigrojnë jashtë, e për të ndalur korrupsionin. Partitë e tjera nuk kanë programe e politika, por vetëm gënjeshtra, prandaj duam të themelojmë një politikë krejt tjetër, që e mban fjalën. Një politikë të së vërtetës.
◦ Cilat janë të metat që ju i shihni në politikën e Shqipërisë duke përfshirë këtu pozitën dhe opozitën, po ashtu sipas juve kush do të ishte ndryshimi i politikbërjes se deritanishme atje?
Për 30 vite me radhë Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet më të fundit në kontinentin Evropian sa i përket ekonomisë, punësimit, të ardhurave, por edhe cilësisë së arsimit e shëndetësisë. Po ashtu është ndër vendet me korrupsion më të lartë, dhe me probleme të mëdha sa i përket demokracisë, zbatimit të ligjit dhe ndëshkueshmërisë. Pushteti në Shqipëri, ku përfshij gjithë partitë e vjetra, është ndërthurje e biznesmenëve monopolistë me pronarë mediash, organizata kriminale, dhe drejtues shtetërorë.
Ne do ta ndryshojmë këtë, me angazhimin tonë. Pas katër vitesh Shqipëria do të ketë një politikë krejt tjetër.
◦ Qëllimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri a janë më të gjera përtej tre kandidatëve, çfarë planesh të tjera keni për të ardhmen?
Kjo fushatë ka shërbyer që ne të krijojmë kontakte të reja me shumë qytetarë, ndaj zgjerimi i organizatës është i nevojshëm. Ne do të fillojmë menjëherë pas zgjedhjeve punën për organizimin e një subjekti. Na frymëzon projekti kombëtar, dëshira për solidaritet shoqëror dhe zhvillim, si dhe vendosmëria për drejtësi.
◦ A mendoni bashkim kombëtar Kosovë-Shqipëri nëpërmjet LVV-së në Tiranë dhe Prishtinë?
Bashkimi do të ndodhë, paqësisht e demokratikisht, përmes referendumeve. Për të arritur deri aty, duhet bërë shumë punë. Ende qeveritë tona nuk kanë zbatuar as marrëveshjet sektoriale që vetë i kanë lidhur. Me qeverinë e re të Albin Kurtit në Kosovë kjo gjë do të ndryshojë. Bashkimi na sjell siguri, zhvillim ekonomik, paqe të qëndrueshme dhe demokraci.
◦ Çka pas 25 prillit, cila do të jetë veprimtaria e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri?
Kemi fituar figura të reja publike, si Iliaz Shehu e Kreshnil Merxhani, kemi fituar mbështetjen e qindra anëtarëve të rinj. Sigurisht, pas 25 prillit, puna jonë do të reflektohet në një organizim të fortë e të shtrirë kudo në Shqipëri.

.

NA NDIQ NË FACEBOOK