Connect with us

Lajme

Godet mjeku shqiptar nga Austria: Ministria e korruptuar e Shëndetësisë po i bën “eutanazi” popullit në Maqedoni

Publikuar

Shkëlqim Beqiri, mjek shqiptar nga Maqedonia, por që vepron me sukses në Austri ka kritikuar ashpër Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtuesit e saj në Maqedoni lidhur me keqmenaxhimin me pandeminë. Sipas tij, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë janë të korruptuar dhe të paditur. Kjo sipas tij është vêrtetuar me masat anti-Covid, të cilat janë treguar të pasuksesshme. Beqiri akuzon se Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni ka pasur mundësi për imunizim të popullatës, por në vend të kësaj kanë zgjedhur, siç thotë ai, “imunizim të të ardhurave personale”, përcjell in7.

“Të bësh biznes në kurriz të qytetarëve, të mbyllesh me orë policore, të humbësh miliarda euro nga mbyllja e bizneseve, të kesh çdo ditë vdekjen më të lartë nga Covid 19 në Europë e më gjerë, të trajtosh qytetarët në klinika private me 12 mijë euro minimum për 7 ditë qëndrim në spital e t’i lësh të vdesin qytetarë të rinj, vetëm e vetëm se s’ke medikamentet e nevojshme në klinika ku pacientët paguajnë vetë nga jashtë shtetit me mijëra euro per medikamente antivirale, antikoagulant etj., duhet të kesh emrin Ministri e Korruptuar, e paditur dhe mbi të gjitha ministri dhe kaudro që kanë zgjidhje vetëm provizionet.. Do duhet të jepni përgjegjësi pasi që popullata duhet ta dijë edhe do e dijë se ju keni zgjidhje për imunizim të popullatës, por jeni përcaktuar për imunizim të të ardhurave tuaja personale”, shkruan kirurgu Shkëlqim Beqiri.

Më tej, Beqiri bën krahasimin me shtetin austriak, ku Ministri i Shëndetësisë atje dha dorëheqje ditë më parë, vetëm se ndihej i lodhur nga kjo “luftë” me pandeminë, ndërsa në Maqedoni edhe përkundër skandaleve të shumta, Venko Filipçe vazhdon të qëndrojë në krye të ministrisë.

“Ministri austriak i shëndetësisë dha dorëheqje vetëm se me shëndet nuk ndjehet mirë e i juaji ne RMV ndoshta do të duhet të gjykohet nga populli, qe të japë dorëheqje, indirekt është njeriu i parë që inicon rritjen e vdekshmërise në vend, pasi imunizon vetëm xhepin e vet e jo sistemin imunitar të qytetarëve! Të jesh doktor dhe i korruptuar është pergjegjësi e dyfishtë. “Eutanazia” e popullatës në RMV bëhet nga korrupsioni i Ministrisë së ‘Shendetësise’”, përfundon mjeku shqiptar nga Austria, Shkëlqim Beqiri.

Shkëlqim Beqiri është kirurg me prejardhje nga Kërçova, por që punon prej vitesh në Vjenë të Austrisë dhe është profesionist i dalluar. Siç ka arritur të mësojë in7, ai është i afërt me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërsa ky i fundit madje ia ka ofruar edhe pozitën e Zëvendësministrit të Shëndetësisë. Këtë ofertë, Shkëlqim Beqiri e ka refuzuar./in7.tv/

NA NDIQ NË FACEBOOK