Connect with us

Lajme

Deputetët e BDI-së u bien tavolinave teksa flet Ilire Dauti (VIDEO)

Publikuar

Një ngjarje e pazakontë ndodhi sonte në seancën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Për shkak se nuk kishte kuorum për të votuar për masat ekonomike nga pakoja e pestë si pasojë e pandemisë, debati u ashpërsua kur deputetët e opozitës kërkonin të kthehet seanca e 36-të dhe të votohet pakoja. Kuorum nuk kishte pasi që kreu i Kuvendit Talat Xhaferi thirri seancën në ora 19:20, atëherë kur edhe fillon koha e Iftarit. Opozita Shqiptaree bojkotoi seancën pasi që e quajti mosrespekt caktimin e seancës në kohë Iftari, kur ka deputetë që kanë agjëruar gjithë ditën.

Gjatë kohës që në foltore fliste Ilire Dauti nga Aleanca dhe Alternativa, deputetët e BDI’së filluan t’u bien tavolinave me grushta me qëllim që të pengojnë fjalën e deputetes opozitare, përcjell in7. Megjithatë, Dauti vazhdoi fjalimin deri në fund, me kërkesën e vetme tek Talat Xhaferi që ta rikthejë seancën e 36-të që të votohet pakoja, pasi siç tha, deputetët e AHS-AAA kanë ardhur në Kuvend pikërisht për të votuar për pakon ekonomike.

“Mendoj se duhet të kërkoni falje që më latë në këmbë, por para së gjithash duhet të kërkoni falje që i bini tavolinave, ndërsa rënia e tavolinës në një ambient ku merren vendime për qytetarët nuk është shenjë e mirë, sidomos kur vjen nga ana juaj që përvojën me rënien e tavolinës nuk e keni fortë korrekte”, u shpreh Ilire Dauti në fillim të fjalës së saj drejtuar Talat Xhaferit. Dauti gjithashtu iu drejtuar edhe Arbër Ademit, duke i thënë se po flet të pavërteta pa pasur pikë turpi.

“Ju thatë fjalë të cilat një njeri që ka pak turp nuk do t’i fliste. Nëse ju Arbër keni shefa dhe luani teatër, herë komedi e herë tragjedi, kjo nuk do të thotë se të gjithë janë si ju. Ne nështrimin nuk e pranojmë zotëri Arbër. Sot teatri u bë me regji të talat Xhaferit, ndërsa herë jeni nën regji të Zoran Zaevit, herë në regji të kryetarit të VMRO-së, por gjithmonë luani pa gabime në regjitë e tyre”, u shpreh mes tjerash Ilire Dauti, përcjell in7.

Ky ishte momenti kur deputetët e BDI-se filluan t’u bien tavolinave. Seanca e Kuvendit u ndërpre, ndërsa për vazhdimin e saj do të ketë njoftim në ditët në vazhdim./in7.tv/

NA NDIQ NË FACEBOOK