Connect with us

Lajme

Aeroporti i Rinasit i rikthehet normalitetit

Publikuar

Në orën 9:00 Aeroporti i Rinasit do t’i rikthehet normalitetit pas krizës së krijuar nga bllokimi i fluturimeve për shkak të revoltës së punonjësve të “AlbControl”.

Lajmin e rikthimit në normalitet e ka dhënë në orët e para të mëngjesit të sotëm Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ka informuar për rinisjen e fluturimeve komerciale.

“Duke filluar nga ora 09:00 e ditës së sotme, operimet në aeroportin e Rinasit dhe në hapësirën ajrore shqiptare kthehen në normalitet“, ka shkruar ajo.

Rikthimi i normalitetit në Rinas vjen pasi në Shqipëri kanë ardhur kontrollorë nga Turqia, ndërkohë që një pjesë e kontrollorëve që lanë punën janë rikthyer pas thirrjes së bërë nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe ministrja Balluku.

Bllokimi i fluturimeve në aeroportin e Rinasit nisi mëngjesin e së mërkurës për shkak të revoltës së punonjësve të trafikut ajror të kompanisë “AlbControl” në funksion të aeroportit, ku ata kërkonin plotësimin e disa prej kushteve.

Ditën e djeshme nisën fluturimet esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore, ku erdhën edhe një pjesë tjetër e vaksinave kineze Sinovac.

Nga e gjithë situata e krijuar janë ndaluar me urdhër nga Prokuroria e Tiranës kreu i sindikatës Armando Fezga, përgjegjësja e turnit Flora Ndreca dhe kontrollori Muhin Mezini pas kallëzimit në Prokurori nga “AlbControl” si nxitës të bllokimit të punës./ TCh

.

NA NDIQ NË FACEBOOK