Connect with us

Lajme

Zv/drejtori i statistikave: Regjistrimi i popullsisë nuk është pazar

Publikuar

Enti Shtetëror i Statistikave po bën përgatitjet e fundit për fillimin e regjistrimit të popullsisë dhe amvisërive në terren, duke respektuar të gjitha masat për mbrojtjen e shëndetit, ka deklaruar zëvendësdrejtori i EShS-së, Ilmi Selami, në një intervistë për REL. Sipas tij, çdo prolongim nuk garanton se do të kemi gjendje më të mirë me pandeminë, teksa agjendat politike nuk do të kenë ndalur. 

“Edhe po ta shtyjmë për një vit, kush garanton se vitin tjetër nuk do ta kemi këtë gjendje. Patjetër ta zbatojmë procesin duke respektuar plotësisht masat mbrojtëse. Agjendat politike për fat të keq në Ballkan asnjëherë nuk janë ndalur, nuk ndalen dhe nuk do të ndalen asnjëherë. Në fakt në këtë jonormalitet të plotë ndoshta është normale për shkak se atë e kanë punë partitë politike, të gjejnë agjendë, të gjejnë tema aty ku nuk ka. Të gjithë duhet të kuptojmë, mua më vjen keq që partitë politike nuk kuptojnë se nëse nuk mbahet regjistrimi humbin të gjithë.”,- deklaroi zëvendësdrejtori i ESHS-së, Ilmi Selami. 

Selami nuk beson se të ftosh qytetarët për të respektuar ligjin përbën diçka të keqe. Sipas tij, çdokush që ndihmon regjistrimin është në të mirë të procesit.  

“Ne na duhet çdokush që do ta lehtësonte punën në kuptim që çdo subjekt politik, çdo aktor dhe faktor në shtet, në shoqëri, i bëjmë thirrje që t’i ftojë qytetarët, të gjithë, të tyre, tanët, pasi nuk bëjmë asgjë të keqe nëse bëjmë thirrje për regjistrim. Unë nuk habitem që shqiptarët bëjnë thirrje që të regjistrohen shqiptarët, por habitem pse maqedonasit bëjnë thirrje të mos regjistrohen maqedonasit? Cila është esenca, cili është qëllimi të mos regjistrohen, të bëjmë numra të deformuar.”,- tha Selami. 

Ndërkohë subjektet politike vazhdojnë të mbeten në qëndrimet e tyre lidhur me zbatimin e regjistrimit. Së fundmi VMRO-DPMNE-ja opozitare ka akuzuar se me zbatimin e regjistrimit kur vendi përballet me valën e tretë të virusit-Korona qeveria po i fut qytetarët në rrezik. Por LSDM thotë se pikërisht VMRO-DPMNE-ja po sillet në mënyrë destruktive dhe nuk ka për qëllim shëndetin e qytetarëve por interesat personale dhe partiake. Ndryshe sipas të dhënave të fundit të ESHS, deri më tani përmes ueb aplikacionit, janë vetëregjistruar 160,519 shtetas të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në diasporë. /TVM2/