Lajme
Votëbesimi i qeverisë – Si do të votojë Izet Mexhiti?

Kryeministri Zoran Zaev kërkoi votëbesim nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duke ardhur në mënyrë të befasishme në seancën e Kuvendit. Zaev kërkoi fjalën dhe nga foltorja e Parlamentit propozoi votëbesim të qeverisë së tij, për të nxjerrë në pah, sipas tij, maskat dhe lojërat politike reth pasjes apo mospasjes së shumicës në Kuvend, përcjell in7.
Ditëve të fundit, zërat për shumicë të re parlamentare u shtuan sidomos pas zënkave në Bashkimin Demokratik për Integrim, ndërsa vazhduan me daljen nga koalicioni i drejtuar nga LSDM i disa deputetëve nga partitë e vogla. Të gjithë ata u arsyetuan se duan të veprojnë si të pavarur në Kuvend.
Derisa në kampin politik maqedonas situata dukej më e komplikuar, në atë shqiptar, konkretisht tek BDl e Ahmetit punët janë më të qarta. Izet Mexhiti, shef i grupit parlamentar të BDl’së, haptazi ka shprehur pakënaqësi dhe kundërshtime ndaj Artan Grubit, zëvendëskryeministër në qeverinë e Zaevit. Mexhiti madje ka folur për ngritjen e një interpelance ndaj Grubit edhe gjatë ditës së sotme. Por ka qënë i paqartë deri tani në çështjen e interpelancës ndaj qeverisë.
Grupi Parlamentar i Opozitës Shqiptare përmes Skënder Rexhepit, kërkoi një orë pauzë para se të votohet për votëbesimin e qeverisë. Në këto momente në korridoret dhe zyrat e Kuvendit nuk ka qetësi, përcjell in7.
A i ka Zaevi 61 vota për ta ruajtur qeverinë?
A do të jetë Izet Mexhiti, deputeti që do ta shpëtojë qeverinë e me këtë edhe zëvendëskryeministrin Artan Grubi?
Të gjitha këto përgjigje do t’i mësojmë pas një ore në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut./in7.tv/














