Sport
Takimi në shtëpinë e fubtollit, Gravina: Mbi 14 mijë shqiptarë luajnë futboll në ekipet e moshave


Krerët e tre federatave të futbollit, Gabriele Gravina i Italisë, Agim Ademi i Kosovës dhe Muamed Sejdini i Maqedonisë së Veriut, vizituan sot “shtëpinë e futbollit” në Shqipëri. Të tre presidentët u pritën në takim nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit e më konkretisht nga Presidenti Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Kreu i FSHF përshëndeti vizitën e tre homologëve në Shqipëri dhe i falënderoi për humanizmin dhe solidaritetin e treguar e pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Jam i kënaqur që kemi sot këtu me ne Presidentin e Federatës Italiane, z. Gravina, Presidentin e Federatës së Maqedonisë së Veriut, z. Sejdini dhe presidentin e Federatës së Kosovës, z. Ademi. Në radhë të parë dua t’i uroj mirëseardhjen, t’i falënderoj dhe në të njëjtën kohë t’i shpreh, jo vetëm mirënjohjen time dhe të komunitetit të futbollit, por mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve për solidaritetin e tyre në një moment tonin shumë të vështirë, siç ishte tërmeti i nëntorit 2019.
I gjithë globi ka kaluar një periudhë të vështirë pandemike, por ne kaluam një tjetër ngjarje akoma më të vështirë mbase, tërmetin e nëntorit 2019 dhe presidenti Gravina ishte nga të parët që më ka telefonuar që në ditën e parë, për të më pyetur për dëmet, çfarë nevojash kishim, me çfarë mund të na ndihmonte dhe i është bashkuar iniciativës së Federatës së Futbollit për ndërtimin e disa shtëpive, me një fond të krijuar nga ne”, tha presidenti i FSHF-së.
Në takim foli edhe kreu i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, që vlerësoi maksimalisht mbledhjen me krerët e tre federatave të tjera, teksa zbuloi se rreth 14 mijë shqiptarë luajnë futboll në ekipet e moshave në Itali.
Vizita në Shqipëri – Dua të falënderoj Presidentin Duka për këtë mikpritje të shkëlqyer. Futbolli ka një gjuhë unike, një gjuhë universale. Rrëzon çdo barrierë dhe bashkon popujt. Në këtë rast specifik miqësia që më lidh me z. Duka është një shenjë e qartë se futbolli ka një dimension të shkëlqyeshëm marrëdhëniesh.
Sot së bashku me miqtë tanë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut përfaqësojmë të katër thuajse 8% të kampionatit të futbollit europian. Kjo tregon se sa e rëndësishme është të qëndrojmë bashkë, sa e rëndësishme është që përmes futbollit të jetojmë emocionet që i bëjnë edhe më të forta ndjenjat mes popujve. Me Shqipërinë ne jetojmë një marrëdhënie ku ndajmë shumë projekte të futbollit në vendet tona, por edhe në nivel europian”.
Kur ka një moment vështirësie të madhe siç kemi përjetuar ne në Itali në vitin 2009, siç ka përjetuar Shqipëria në vitin 2019 mendoj se popujt bashkohen dhe i përballojnë nevojat së bashku me vëllezërit dhe miqtë e tyre. E kam vlerësuar shumë disponibilitetin e Shqipërisë dhe të Presidentit Duka për të krijuar këtë moment për t’u takuar me miqtë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut sepse së bashku kemi zbuluar se jemi të apasionuar pas futbollit, por mbi të gjitha jemi miq.
Në pak kohë takohemi, në pak kohë arrijmë të ndajmë ato që janë vlerat e vërteta të sportit. Kjo është forca e madhe e sportit, kjo është forca më e madhe e futbollit. Për këtë dua të falënderoj presidentët, falënderoj ju të gjithë për disponibilitetin dhe mikpritjen dhe më lejoni të them rroftë futbolli, rroftë Shqipëria, rroftë Italia, rroftë Kosova dhe rroftë Maqedonia e Veriut”.
Problemi i dokumentacioneve të futbollistëve shqiptarë – Është një problem i vërtetë, për fat të keq burokracia është një nga elementët që bllokon mundësitë për të luajtur për shumë të rinj. Komuniteti më i rëndësishëm në Itali që praktikojnë sportin, është ai shqiptar. Janë rreth 14 mijë futbollistët shqiptarë që luajnë për klube italiane dhe duhet të përshpejtuar ky proces. Unë uroj që me qeverinë italiane të mund të gjenden modalitetet e duhura për të përshpejtuar hapat”.
Miqësore Shqipëri-Itali – Do të kisha shumë dëshirë të bëhej, ne kemi dy ndeshje mes ekipeve kombëtare të moshës U-19 në muajin gusht. Për fat të keq kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare na impenjon që të dyja vendet në garat zyrtare. UEFA i ka organizuar tashmë kampionatet zyrtare, por po përpiqemi të përdorim kompeticionet e moshave për të gjetur një mundësi për t’u ndeshur në fushë”, është shprehur Gravina.






















