Lajme
NIRCAU, grupi që zbardhi plagjiaturat “godet” sërish UT-në: Mos u merrni me ne por me punimet, keni origjinalet dhe kopjet e vjedhura

Është e vërtetë që jemi anonim, por kjo assesi nuk e zbeh kredibilitetin tonë për të denoncuar hulumtimet e vjedhura, deklaruan nga nisma e hulumtuesve anonim të cilët në Revistën “Veritas” publikuan plagjiaturat e disa profesorëve të Universitetit të Tetovës. Sot, këta hulumtues kanë dërguar në redaksinë e Portalb linqet e plagjiaturave të vjedhura të të gjithë profesorëve të akuzuar, shkruan Portalb.mk.
Nga Nisma Intelektuale për Rritjen e Cilësisë në Arsimin Universitar potencuan se sipas tyre, Universiteti i Tetovës udhëhiqet nga mafia akademike dhe gjithkush që i del kundër kësaj të fundit, “persekutohet” si në kohën e komunizmit.
“Ne jemi anonim por kjo nuk e zhbën kredibilitetin tonë për të denoncuar hulumtimet e vjedhura, dhe ju për atë duheshe të jepni një deklaratë më dinjitoze, edhe pse shumica jeni në lidhje gjaku me njëri tjetrin. Se deri në këtë shkallë është privatizuar ky institucion publik, i shenjtë për shqiptarët e Maqedonisë së veriut, deri diku e dinim, por me mënyrën e mbarëvajtjes së faqes zyrtare të Universitetit në rrjetin social facebook (fshirja e komenteve negative të vetë studentëve të atij institucioni), rreshtimi i gardës së ‘sherrit’ dhe ‘llajkut’ në facebook, vërtetuan edhe njëherë se çdokush që tenton të prek këtë ‘mafi akademike’ do të ndiqet e ‘persekutohet’ si në kohë të komunizmit” kumtojnë nga NIRCAU.
Nga NIRCAU ftojnë Universitetin e Tetovës që të merret me plagjiaturat dhe jo me autorët e hulumtimit, të njëjtit kanë shtuar një dokument në të cilin sipas tyre, UT-ja ka qenë e paralajmëruar nga muaji korrik se avancimi akademik i Kenan Feratit nuk ka qenë ligjor.
“Për t’ua dëshmuar të kundërtën e reagimit zyrtar të Universitetit të Tetovës, ua dërgojmë linqet e hulumtimeve të vjedhura dhe hulumtimeve nga të cilat është realizuar vjedhja. Detyra e institucionit ndoshta nuk është të komentojë ‘zbulimet’ e ‘revistave’ me autorë anonim, por është obligim ligjor i juaji të parandaloni avancimet akademike kur veçmë keni qenë të paralajmëruar më datë 09/07/2020 në ora 15:37, gjashtë ditë para përmbylljes së Gazetës Zyrtare (Buletini numër 166) se avansimi akademik i z.Kenan Feratit nuk është ligjor, nuk plotësohen kushtet minimale ligjore për avansim, por ju vazhduat ashtu siç dini ju (duke shkelur nenin 166, paragrafi 2, pika 2 dhe 3, të Ligjit për Arsim të Lartë)” kumtuan nga NIRCAU.
.
















