Lajme
Grubi i përgjigjet Mexhitit: Debatin të mos e shndërrojë në telenovelë

Deputeti, Arbër Ademi, do të jetë koordinator i ri i grupit parlamentar të BDI-së. Ademi në këtë pozitë do ta zëvendësojë koordinatorin e deritanishëm, Izet Mexhitin, i cili ditë më parë dha dorëheqje si pasojë e mosmarrëveshjeve me bashkëpartiakun e tij, njëherit edhe zëvendëskryeministrin, Artan Grubi.
Por ky i fundit thotë se në BDI ka demokraci të mirëfilltë dhe se shprehja e lirë e fjalës është vlerë e shtuar, por porositi bashkëpartiakun e tij, Mexhitin, që debatin të mos e shndërrojë në telenovelë publike, por mospajtimet t’i diskutojë brenda partisë.
“Demokracia e mirëfilltë dhe shprehja e fjalës së lirë është një vlerë e shtuar në kuadër të BDI-së, por kur shprehet në kuadër të organeve partiake dhe jo të shndërrimit të saj në një telenovelë publike. Gjithsesi përkrah kritikën përkrah sugjerimet për punë më të madhe por ftoj që bashkërisht të ulemi dhe të diskutojmë se si mund të bëjmë punë më të mira për qytetarët, sepse të gjitha diskutime në publik në një formë pa fund nuk i ndihmojnë qytetarit dhe nuk janë në interes të qytetarëve. Ne nuk kemi marrë mandat askush për të mos punuar për qytetarët, por përkundrazi duhet të angazhohemi bashkërisht që t’ju dalim në ndihmë qytetarëve dhe të kryejmë projektet dhe fjalën e dhënë.”,- tha zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
Deputeti Izet Mexhiti e ka kritikuar bashkëpartiakun e tij Artan Grubi se është i stërngarkuar me poste dhe obligime si në ekzekutiv ashtu edhe brenda partisë. Mexhiti insiston në respektimin e parimit të meritokracisë në ndarjes e posteve. Madje Mexhiti është shprehur i gatshëm të votoj për nëse ngrihet interpelancë në kuvend për Grubin. (TVM2)















