Connect with us

Sport

Cungu kërkon elementë për Shqipërinë U19, organizon zbor një ditor

Publikuar

më

Ekipi Kombëtar shqiptar U-19 zhvillon sot një seleksionim 1-ditor, ku do të jenë të ftuar 25 lojtarë të cilët aktivizohet me klubet e kampionatit shqiptar. Seleksionimi do të zhvillohet në Qendrën e Ekipeve Kombëtare të FSHF në Kamëz dhe do të drejtohet nga trajneri i ekipit Kombëtar, Armando Cungu.

Lojtarët e thirrur janë të vitlindjes 2003 dhe aktivizohen në kampionatin shqiptar të moshës U-19. Synimi i këtij seleksionimi është vëzhgimi nga afër i elementëve të talentuar të kësaj grup-moshe që militojnë në kampionatin shqiptar e që mund të jenë të vlefshëm për ekipet zinxhir kuqezi.

“Para një muaji kishim një grumbullim 3-ditor kryesisht me lojtarë të lindur në vitin 2002. Tani do të fokusohemi më shumë te lojtarë të lindur në 2003-shin dhe në 2004-ën. Është hera e parë që kemi grumbulluar lojtarë që luajnë në kampionatin shqiptar të kësaj grupmoshe. Sot janë grupi B, pra grupi i jugut dhe më pas do të kemi një grumbullim edhe me grupin e veriut, pasi duam të shohim me vëmendje elementë interesantë, për t’i mbajtur nën vëzhgim në mënyrë të vazhdueshme”, u shpreh Cungu.

Tekniku shkodran pranoi se nuk njeh mirë futbollistët shqiptarë të kësaj grupmoshe, teksa u bëri thirrje edhe trajnerëve të moshave në klubet e Superiores, që të adresojnë lojtarët më cilësorë në këto grumbullime.

“Është herët për të thënë se kush do të jetë pjesë e përfaqësueses U21. Nuk kam parë të gjithë ekipet e moshave të Shqipërisë, por kam ndjekur skuadrat e veriut, ashtu si kolegu im është përqendruar te ato të jugut. U kemi bërë një ftesë të gjithë ekipeve të Superiores, duke respektuar edhe trajnerët e moshave, për të adresuar dhe sjellë këtu 2-3 lojtarët më seriozë dhe më cilësorë në ekipet e tyre. Më pas ne do t’i vëzhgojmë dhe do të vlerësojmë elementët që mund t’i shërbejnë përfaqësueses më vonë”, tha Cungu.

Pandemia ka kushtëzuar jo pak edhe punën e trajnerit Cungu, i cili pranon se për shkak të situatës me koronavirusin, e ka të pamundur të thërrasë për vëzhgime 2-3 ditore futbollistë që luajnë në Europë.

“Pandemia ka ndikimin e vet dhe na ka kushtëzuar që të përqendrohemi vetëm te elementi vendas. Është e vështirë dhe thuajse e pamundur që në këto kushte, lojtarët shqiptarë të marrin leje për të marrë pjesë në grumbullime 2-3 ditore. Kjo pasi nëse vijnë në Shqipëri, janë të detyruar t’i nënshtrohen karantinës kur të rikthehen në klubet e tyre. Edhe në Shqipëri pandemia ndikon në mënyrën e stërvitjes, por një lojtar që di të luajë futboll, spikatet lehtë”, tha Cungu.

Vëmendja e Shqipërisë U19 do të jetë edhe te elementët e talentuar që luajnë në Kategorinë Superiore, teksa vetë Cungu konfirmon besimin te futbolli shqiptar dhe premton rëndësinë e duhur për lojtarët që luajnë në Shqipëri.

“Unë nuk e shoh futbollin shqiptar si të dorës së dytë, pasi edhe këtu ka elementë që meritojnë besim dhe që mund të fitojnë pjekurinë e duhur për të veshur fanellën e përfaqësueses. E kam thënë edhe më herët, që futbollistët nga jashtë do të vijnë vetëm nëse tregojnë një diferencë të konsiderueshme me elementët vendas. Në të kundërt, preferojmë futbollistë që i kemi këtu dhe i ndjekim çdo ditë”, u shpreh shkodrani.

NA NDIQ NË FACEBOOK