Lajme
Sot arrijnë në Shqipëri dozat e para të vaksinës AstraZeneca

Sot do të arrijnë në Shqipëri 38 mijë e 400 dozat e para të vaksinës kundër COVID-19 AstraZeneca.
Lajmin për ardhjen e mbi 38 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca e ka bërë të ditur dy ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ai këtë e ka quajtur lajm të mirë duke thënë se menjëherë do të fillojë vaksinimi i mësuesve.
“LAJM I MIRË. Pasnesër mbërrijnë 38 400 DOZAT E PARA TË VAKSINËS ASTRAZENECA dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, shkroi kryeministri shqiptar të mërkurën.
Të mërkurën deklaratë dha edhe Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu.
Ajo deklaroi se është drejt përfundimit vaksinimi i stafeve mjekësore në të gjithë vendin.
Ndërkohë që në 24 orëshin e fundit, është konfirmuar vdekja e 16 qytetarëve të infektuar me COVID-19.
Që nga shpërthimi i COVID-19 në Shqipëri 115 mijë e 442 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Prej tyre 78 mijë e 259 janë shëruar. Kurse betejën me këtë sëmundje e kanë humbur 2002 pacientë.
Aktualisht në Shqipëri janë 35 mijë e 181 raste aktive.
.


















