Connect with us

Lajme

Sela dhe Gashi: Gjykimi në rastin “Monstra”, skandaloz – Shqiptarëve ju mungon drejtësia

Publikuar

Kryetari i partisë “Aleanca për Shqiptarët”, Ziadin Sela, e ka quajtur skandaloze heshtjen e BDI-së për rastin “Monstra”, pas vendimit të Gjykatës Penale e cila dënoi me burg të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq ndërsa të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim, shkruan gazeta LAJM.

Sela, tha se BDI-ja e cila thirret në legjitimitetin e shqiptarëve, nuk guxon të fshihet kur shqiptarët dënohen padrejtësisht, siç ndodhi në rastin e montuar nga politika “Monstra”.

“Shqiptarët fatkeqësisht prej 18 vitesh janë të pambrojtur. Skandaloze është heshtja e atyre që thirren në emrin e legjitimitetit shqiptarë, që e vodhën atë legjitimitet. BDI nuk duket në këto moment askund, e ka futur kokën si struci. Kjo është e patolerueshme”, tha Sela në konferencën për media që u organizua në Kuvend. Ai tha se vrasësit e pesë maqedonasve në vitin 2012 pranë Liqenit të Smilkovës, shëtiten të lirë kurse njerëzit e pafajshëm shkojnë në burg për llogari të lojërave të ndryshme politike.

“Ka ardhur koha që Zaevi të ikën nga pushteti sepse pikën e moralit nuk e ka që të qendrojë në krye të Qeverisë ku erdhi me mashtrimin se do të zbardhte proceset e montuara, pasi thoshte se njerëz të pafajshëm qendrojnë në burg për rastin “Monstra”, u shpreh Sela.

Ai, tha se zbardhja e rasteve të montuara mund të ndodh vetëm përmes zgjidhjes që e ofron koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, përmes rihapjes së të gjitha këtyre proceseve nga gjykatës dhe prokurorë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Urgjentisht ftojmë vendet e BE-së, që të sjellin grupin e gjykatësve dhe prokurorëve ekspertë që do t’i rihapin edhe një herë rastet e montuara politike kundër shqiptarëve, përfshirë edhe “Monstrën”. Të rihapen edhe rastet ku ka amnisti dhe ka shkelje të rënda penale. Vëtëm kështu kthehet besimi tek qytetarët. Duhet t’i largojmë nga sistemi gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, që i përshtaten çdo sistemi, çdo partie që vjen në pushtet”, u shpreh Sela./Gazeta LAJM

NA NDIQ NË FACEBOOK