Sport
Shkurt/ Man. United në gjurmët e ish sulmuesit të Milanit, Sampaoli drejt rikthimit në Europë


Man. United në ndjekje të ish sulmuesit të Milanit
Manchester United vazhdon të jetë në kërkim të një sulmuesi për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e “djajve të kuq” kanë nisur menjëherë punën për t’i siguruar trajnerit Ole Gunnar Solskjær lojtarin e shumë kërkuar. Sipas mediave, në krye të listës së klubit anglez ka përfunduar André Silva, i cili këtë sezon po shkëlqen me fanellën e Eintracht Frankfurt duke realizuar 19 gola në 22 aktivizime me klubin gjerman. Perfomranca e shkëlqyer e portugezit në Bundesligë ka bërë që anglezët të vihen në gjurmët e tij. Për të arritur te kartoni i 25-vjeçarit Manchester United më parë duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Atletico Madrid që është futur në garë për futbollistin.
Rose u përgjigjet tifozëve: Nuk marr asnjë lojtar te Dortmund
Tashmë dihet dhe është zyrtare që Marco Rose do të largohet nga Borussia Monchengladbach në fund të sezonit, për t’u ulur në stolin e Borussia Dortmund. Gjatë një konference trajneri siguroi se nuk do të marrë me vete asnjë futbollistë nga skuadra, duke theksuar se pavarësisht situatës së krijuar, asgjë nuk ka ndryshuar përsa i takon përkushtimit dhe punës së tij te Gladbach. 44-vjeçari deklaroi se ai do të vazhdojë të japë 100% deri në fund të sezonit për ngjyrat e skuadrës që ai drejton. Në këtë mënyrë Rose u drejtohet tifozëve që e quajtën mercenar dhe “derr” që duhej shporrur menjëherë nga skuadra.
Sampaoli drejt rikthimit në Europë, e kërkon Marseille
E ardhmja e Jorge Sampaolit me shumë mundësi do të jetë në Europë. 60-vjeçari që aktualisht drejton Atletico Mineiron, është bindur nga drejtuesit e Marseille për të marrë drejtimin e skuadrës, që pas largimit të Villas-Boas drejtohet nga 62-vjeçari Nasser Larguet, i cili do të qëndrojë në krye të ekipit deri në momentin e ardhjes së trajnerit të ri. Për të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës franceze, më parë argjentinasi duhet të mbyllë me konsensus kontratën që e lidh me klubin brazilian dhe për këtë Sampaoli ka nisur menjëherë bisedimet me drejtuesit për të gjetur një zgjidhje në favor të të dyja palëve.






















