Sport
Shkëlqejnë Leva e Gnabry, Bayerni rikthehet te fitorja me goleadë!

Dy rezultate negative radhazi në Bundesliga, pikërisht barazimi ndaj Arminia Bielefeld në shtëpi dhe disfata ndaj Eintracht Frankfurt në transfertë ishin shumë për Bayern Munich që u rikthye te suksesi në javën e 23-të dhe e bëri këtë me goleadë. Bayerni triumfoi me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Koln në Allianz Arena në një ndeshje të dominuar që nga fillimi nga bavarezët. Choupo-Moting sulmuesi i ardhur verën e kaluar nga PSG kaloi në epërsi skuadrën e Hansi Flick që në minutën e 18-të. Në të 33-ën erdhi edhe rrjeta e të përhershmit Robert Lewandowski i cili i çoi shifrat në 2-0.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë ndërkohë që reagimi i Koln ku titullar ishte edhe mesfushori shqiptar Rexhbecaj erdhi me Skhiri në minutën e 49-të. Gjithsesi Lewandowski riktheu sërish qetësinë me golin e dytë personal dhe të 28-in në këtë sezon të Bundesligas, duke e çuar në 3-1 rezultatin në favor të Bayernit. Për ta bërë më të bukur këtë fitore të bavarezëve mendoi Serge Gnabry që në 10 minutat e fundit të ndeshjes realizoi dy herë për fitoren finale të Bayernit me rezultatin 5-1. Me këtë sukses kampionët e Gjermanisë u ngjitën në kuotën e 52-të pikëve, teksa kryesojnë të vetëm Bundesligan pas 23 javësh.
Në ndeshjet e tjera të javës së 23-të të Bundesligas Dortmundi mposhti 3-0 Arminia Bielefeld me gola të Dahoud, Sancho dhe Reinier, ndërsa të thjeshtë e patën dhe Shtuttgart e Wolfsburg që triumfuan respektivisht me shifrat 5-1 dhe 2-0 ndaj Schalke 04 dhe Hertha Berlin.
