Lajme
Rruga Grupçin-Zhelinë e shkatërruar, ASH-AA: Edhe sa vite do t’i mashtroni qytetarët

Reagimi i plotë i Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa
Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave, sot jemi në f. Grupçin, ku siç mund ta shihni edhe vet, gjendemi në një rrugë të baltosur e të katandisur, e cila është arteria më e rëndësishme infrastrukturore duhet ta lidhë Grupçinin me Zhelinën. Por, fillimi i punimeve dhe lënia e punëve në gjysmë e ka vështirësuar shumë qarkullimin e banorëve të këtij rajoni. Sa për informacion, rikonstruktimi i rrugës Karpallëk- Zhelinë ka filluar që më 4 shtator të vitit të kaluar dhe po bëhen gati shtatë muaj rikonstruimi i rrugës Grupçin – Zhelinë është ende në gjendje të mjerueshme. Si rezultat i kësaj, banorët janë të detyruar ta përdorin autostradën, duke qenë të shtrënguar të paguajnë pagesë rrugore.
Përkundër prononcimeve të shumta nga ana e komunës së Zhelinës, se nuk kanë mundur të punojnë për shkak të kushteve klimatike, e vërteta është se këtu nuk ka ndryshuar asgjë edhe pas premtimit të dytë se “rruga do përfundojë në janar të këtij viti”. Prandaj, për forumet rinore të koalicionit Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA, kësaj rruge tashmë ka filluar t’i vijë era korrupsion. Zvarritjet e këtilla nuk kanë shpjegim tjetër.
Duke parë këtë gjendje, jemi sot këtu që t’i drejtohemi Kryetarit të Komunës, që mos të mashtrojë përsëri, por t’i përvjelë krahët e ta bëjë punën, sepse zgjedhjet lokale vijnë së shpejti, bile më shpejt seç mund ta pastrojmë ne baltën nga këpucët tona, aq sa për ta mbajtur mend mashtrimin e shumëfishtë të kësaj udhëheqësie të Komunës së Zhelinës.













