Lajme
Prezantohet pakoja e 5 ekonomike, rreth 160 milionë euro

Kryeministri,Zoran Zaev, prezantoi masat e pakos së pestë ekonomike të cilat u dedikohen kompanive, personave fizik dhe juridik me qëllim të rimëkëmbjes sa më të shpejtë të ekonomisë, përkatësisht mënjanimin e pasojave të shkaktuara nga pandemia Kovid–19. Të gjitha këto masa në këtë pako do të duhet të shfrytëzohen deri në fund të vitit. Në këtë pako, sipas kryeministrit Zaev, janë të përfshira 29 masa, ku do të ndahen plot 9.7 miliard denarë, apo rreth 160 milion euro.
“Masat janë të ndara në katër shtylla kryesore, e para ndihmë do t’u jepet kompanive për ruajtjen e vendeve të punës. Shtylla e dytë është për sektorin privat, ku parashihen kredi pa kamatë pa kthim të komponentës për shtimin e numrit të punëtorëve. E treta shtyllë ka të bëjë me rregullimin e tarifave doganore dhe uljen e çmimit parafiskal dhe lehtësim të tatimit. Dhe shtylla e katër ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarët. Parashihen masa financiare për të punësuarit në vlerë prej 1 miliardë e 920 milion denarë për muajt shkurt dhe mars 2021, për 60 mijë punëtorë. Me këtë ndihmë qytetarët apo të punësuarit në kompanitë familjare do të marrin paga nga 14,500 denarë deri më 21.776 denarë, pastaj për kompanitë nga disa sfera parashihen kredi pa kamatë.”,– deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Po ashtu është paraparë ndihmë financiare edhe për 120 radiodifuzerë që do të marrin ndihmë prej 50 milion denarësh dhe do të lirohen nga pagesa e koncesionit vjetor. Për qytetarët, sipas kryeministrit, parashihen edhe mundësi për shtyrje të afatit për pagesë të tatimit personal deri më 30.06.2021. Ndihmë është paraparë edhe për kompanitë e transportit vendor dhe ndërkombëtarë. Ndihmë është paraparë edhe për hotelet të cilat janë jashtë vendeve turistike, rreth 6 milion denarë. Masa e 14 ka të bëjë për ekipet sportive ku 33% e vauçerëve do të realizohen nga Qeveria. Po ashtu komunave u mundësohet që bllok dotacione t’i rialokojnë në investime kapitale.
“Me këtë masë me ndryshime ligjore udhëzohen të gjitha ndërmarjet komunale dhe shtetërore, DAP dhe komunat t’i falin dhe t’i fshinë borxhet për qytetarët të cilat u figurojnë si kamatë, ndërsa borxhet të cilat i kanë mund t’i paguajnë në 12 këste. Kompanitë të cilat kanë marrë ndihmë dhe kanë treguar se kanë përfitime vjetore kanë për obligim t’i sjellin 50 për qind të mjeteve të marra, ndërsa ato të cilat kanë dalë me humbje nuk e kanë këtë obligim, por me kusht që numri i të punësuarve të jetë i njëjtë në muajin dhjetor 2020.”,- tha Zaev.
Po ashtu nga Qeveri potencuan se të gjitha kompanitë të cilat kanë bërë keqpërdorime të ndihmës shtetërore, nuk do të kenë të drejtë të aplikojnë. Kryeministri po ashtu potencoi se kjo është masa e fundit që ofrohet nga Qeveria për rimëkëmbjen ekonomike.
.
















