Sport
Kapiteni Bejtullai: Sileksi i fortë, por duam tri pikët në Kratovë


Shkëndija e Tetovës, gati për ndeshjen e parë zyrtare të 2021-shit. Pas shtyrjes së javës së kaluar për shkak të kushteve atmosferike, kuqezinjtë do të jenë mysafirë të Sileksit, në Kratovë, ku kërkojnë fitoren për të ruajtur ose thelluar diferencën me ndjekësin më të afërt.
“Jemi të gatshëm për sfidën me Sileksin. Kemi lënë pas një fazë cilësore përgatitore dhe ndeshjet testuese me rivalë të fortë në Antalia. Fizikisht, mendoj se jemi në lartësinë e duhur, loja gjithmonë ka hapësirë për t’u përmirësuar dhe për këtë gjithë futbollistët jemi të bindur se do të japim më të mirën në terren”, – shprehet kapiteni Egzon Bejtullai në prag të startit të gjysmësezonit pranveror. Mbrojtësi vlerëson ekipin e Sileksit dhe kërkon përqendrim maksimal nga bashkëlojtarët, sepse lideri i kampionatit gjithmonë është frymëzim që rivalët të japin më të mirën.
“E ndjejmë se kundër nesh secili rival ka motiv shtesë, duke dhënë gjithmonë më shumë. Ky fakt, na bën edhe më të fortë si ekip. Shkojmë në Kratovë për fitore, të bindur se Sileksi ka skuadër shumë të mirë dhe që do të kërkojë me të gjitha forcat që të na ndalë, por ne shkojmë të qetë dhe me bindje për të dhënë më të mirën në fushë, të realizojmë planin e stafit teknik dhe nëse u përmbahemi detyrave që do të na jepen, besoj se në Tetovë do të kthehemi me tri pikët”, – përfundoi Bejtullai.
Përballja Sileks-Shkëndija e Tetovës do të luhet të dielën, në stadiumin e qytetit në Kratovë, me fillim në orën 14:00.






















