Sport
Fiorentina-Inter, Conte me dyshen Lukaku-Lautaro për thyer tabunë “Artemio Franchi”


Interi ka rastin për t’u ngjitur përkohësisht në vendin e parë të Serisë A, teksa do të përballet në mbrëmje me skuadrën e Fiorentinës. Zikaltrit pësuan një zhgënjim të rëndë, pas disfatës në Kupën e Italisë me rivalët e urryer të Juventusit, takim ku “Zonja e Vjetër” përmbysi golin e shpejtë të sulmuesit Lautaro Martinez me dy gola të rëndë të yllit të saj portugez, Cristiano Ronaldo. Në “San Siro” bardhezinjtë fituan 2-1, megjithatë llogaritë janë ende të hapura, pasi bëhet fjalë për një sfidë tepër të ashpër dhe duke patur parasysh rivalitetin historik që mbizotëron në Derbin e Italisë gjithçka mund të ndodhë.
Gjysmëfinalja e kthimit në edicionin e 74 të Kupës së Italisë do të zhvillohet të martën e ardhshme, sidoqoftë më herët trajneri Antonio Conte duhet të mendojë për skuadrën vjollcë dhe një ndeshje që do të luhet vetëm 3 ditë pas përballjes me Juventusin.
Përpara humbjes në Kupë, zikaltrit krenoheshin me vetëm 1 humbje në 16 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet. Bëhet fjalë pikërisht për disfatën me Sampdorian në Gjenovë, një muaj më parë, ku për hir të së vërtetës trajneri puljez preferoi të eksperimentonte, duke ulur në stol sulmuesin kryesor të skuadrës, Romelu Lukaku, takim ku zëvendësuesi i tij Alexis Sanchez shpërdoroi një 11-metërsh pa u mbushur as çerek ore lojë. Në Milano, Interi numëron plot 7 fitore rresht, megjithatë është fakt që jashtë kryeqendrës lombarde ekipi zikaltër vuan ndjeshëm.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Antonio Conte krijoi fare pak në Friuli dhe për rrjedhojë ndaj Udineses zikaltrit nuk morën dot më shumë se një barazim pa gola. Barazimi me Romën në “Olimpico” ku Interi pësoi pikërisht në minutat e fundit nga një goditje standarde si dhe humbja me Sampdorian bëjnë që Interi të zbresë në Firenze me plot tri ndeshje jashtë fushe pa fitore. Suksesin e fundit zikaltrit e kanë regjistruar në Bentegodi, gjashtë javë më parë, ku ekipi i Interit mposhti 2-1 verdheblutë e Veronës, falë një goli të realizuar 20’ para fundit nga qendërmbrojtësi sllovak Milan Skriniar.
Në ndeshjet jashtë fushës së tyre kanë marrë më shumë krahasuar me ekipin e Contes edhe klube si Milani dhe Juventusi, që janë pikërisht rivalët kryesorë në luftën për titullin e sivjetshëm, kështu që zikaltrit duhet patjetër të përmirësojnë rendimentin e tyre larg stadiumit “San Siro”, për të fituar “scudetto”-n pas plot 11 vjetësh.
Vlen të theksohet gjithsesi fakti që pas dy golave të pësuar në “Qytetin e Përjetshëm” nga verdhekuqtë zikaltrit kanë përforcuar ndjeshëm fazën mbrojtëse, duke kyçur madje portën e tyre në tre sfidat e fundit me skuadra si Juventus, Udinese dhe Benevento. Interit i nevojiten patjetër 3 pikët, duke patur parasysh që në horizont për zikaltrit shfaqen radhazi tri impenjime të vështira me kundërshtarë si Juventusi në Kupë dhe dyshja Lazio–Milan në kampionat.
Këtë herë, në skuadër rikthehet dyshja Lukaku–Hakimi që mungoi për shkak të kartonëve ndaj Juves në Kupën e Italisë, ndërkohë në krahun tjetër do të mungojnë pikërisht për shkak të kartonëve të kuq dy futbollistë shumë të rëndësishëm si Gaetano Castrovilli e Nikola Milenkovic. Skuadra vjollcë ka ndryshuar shumë, që nga fillimi i muajit nëntor, kur Cesare Prandelli u emërua në vend të Giuseppe Iachini dhe në fakt Fiorentina nuk humbet në shtëpi prej plot dhjetë javësh e gjysmë, më saktë që nga humbja minimale me Beneventon.
Janë plot 6 ndeshje pozitive radhazi në shtëpi për Fiorentinën, gjithsesi ekipi toskan ka fituar vetëm 2 nga këto 6 sfida. Formacioni vjollcë ka mposhtur në Firenze Cagliarin dhe Crotonen, ndërsa në takimin e fundit në Torino Fiore pësoi golin e barazimit nga skuadra granata vetëm në 88’, ndoënse luajti për një kohë të gjatë me plot dy lojtarë më pak.
Në klasifikimin e përgjithshëm Fiorentina vazhdon të qëndrojë në gjysmën e poshtme të tabelës, në kuotën e 22 pikëve, pra gjysmën e sasaisë së pikëve që ka grumbulluar ekipi i Contes. Interi ka lënë vërtet shumë pikë rrugës dhe një tjetër rezultat pa fitore do të ishte vërtet shumë i dëmshëm për moralin e skuadrës, për më tepër bëhet fjalë për një fushë shumë të vështirë ku zikaltërit numërojnë plot 7 ndeshje pa fitore.
Lukaku e Martinez kanë shënuar respektivisht nga 14 e 10 gola në Serinë A dhe kjo dyshe do të zbresë në fushë që nga minuta e parë për të udhëhequr manovrën sulmuese të zikaltërve, që në fakt nuk fitojnë në Firenze që nga koha e Walter Mazzarrit në vitin 2014. Në fazën e parë Lukaku dhe D’ambrosio përmbysën disavantazhin për të fituar 4-3 me dy gola të shënuar në tri minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa këtë radhë takimi do të zhvillohet në stadiumin “Artemio Franchi” dhe do të startojë në orën 20:45.
Ndërkohë, në Eurosport2 të pasionuarit e futbollit gjerman do të mund të ndjekin në orën 20:00 sfidën hapëse të javës së 20-të Hertha e Berlinit – Bayern.





















