Sport
E shtuna në Supersport/ Barça për suksesin e radhës ndaj Alaves, Dortmund pret Hoffenhaim


Barazimi në minutat e fundit ndaj Celta Vigos ka lënë një shije të hidhur te lojtarët e Atleticos së Madridit, që tani e shohin Realin vetëm 5 pikë mbrapa vetes, ndonëse kanë edhe dy ndeshje për të rikuperuar, njërën prej të cilave do ta luajnë pikërisht sot.
Në orën 14:00 të besuarit e Diego Simeones do të zbresin në fushën e stadiumit “Nuevo Los Carmenes” për t’u përballur me Granadan, në një sfidë aspak të lehtë, pasi vendasit janë një skuadër që rreshtohet mirë mbrapa dhe lë pak hapësira.
Lista e mungesave për Los Colchoneros është e gjatë, pasi Herrera, Dembele, Joao Felix e Lemar janë të prekur nga koronavirusi dhe po qëndrojnë të izoluar, ndërsa anglezi Kieran Trippier është i pezulluar, megjithatë misioni i madrilenëve mbetet i njëjtë, marrja e tre pikëve për të rritur distancën me ndjekësit.
Në ekranin e Supersport do të transmetohet edhe ndeshja Sevilla-Huesca në orën 16:15, ndërsa në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Camp Nou”, ku Barcelona do të presë Alavesin me misionin për të marrë fitoren e 7 radhazi në kampionat.
Katalanët janë përmirësuar ndjeshëm në kampionat dhe po shkojnë nga suksesi në sukses, ndaj me një tjetër fitore sot do të blindonin plotësisht pozitat në zonën Champions dhe madje do të mund të shpresojnë për diçka më tepër, ndonëse Atletico është mjaft e shkëputur.
Bundesliga gjermane do të vijë sot me dy ndeshje, Borussia Dortmund – Hoffenhaim, e cila do të startojë në orën 15:30 dhe Union Berlin – Schalke 04 në orën 18:30, teksa të dyja do të transmetohen në Eurosport 2, kanalin numër 99 në Digitalb.
Nuk do të mungojë as kampionati francez, me përballjen PSG-Nice në orën 17:00, ndërsa kampionati holandez do të vijë me sfidat Den Haag – PSV dhe Heracles – Ajax.






















