Lajme
Dyfytyrësia e Zaevit – Shpërndan foto nga protestat e veta, ndërkohë që nuk i lejon shqiptarët të protestojnë para qeverisë së tij

Ndryshe në opozitë e ndryshe në pushtet
Mijëra shqiptarë sot u penguan të protestojnë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Edhe ose organizatorët kishin kërkuar leje dhe i kishin kryer procedurat e nevojshme që protesta të zhvillohet siç duhet para objektit të qeverisë, policia nuk i lejoi. Qindra policë, forca speciale, të shoqëruar nga artileri e rëndë policoro – ushtarake kishin vënë kufirin aty ku mbaron Komuna e Çairit, qindra metra larg objektit të qeverisë. Kjo u quajt si provokim i masës, të cilët edhe ashtu ishin të prekur nga vendimi i para disa ditëve i gjykatës për t’i shpallur sërish fajtorë të akuzuarit e rastit “Monstra”, shkruan in7.
Disa orë para protestës së sotme, u dha vendimi për ish shefin e DSK’së, Sasho Mijallkov, i cili u dënua me 12 vite heqje lirie. E menjëherë pas këtij vendimi, filluan mburrjet nga partitë qeveritare, duke i marrë meritat për këtë dhe për të bërë me dije se “drejtësia po vjen në vend”. Më të zëshëm ishin ata të LSDM’së e sidomos kryeministri i vendit, Zoran Zaev.
Për të përshkruar rrugëtimin politik të tij, që para rrëzimit të Gruevskit e deri në dënimin e Mijallkovit, Zaev shpërndau një fotografi nga protestat e para disa viteve, ku ai si kryetar opozite protestonte me mijëra qytetarë para Qeverisë. Kjo ndodh në të njëjtën ditë kur pikërisht i njëjti politikan, por tani i veshur me petkun e pushtetit, nuk e lejon zërin opozitar, qytetarin e thjeshtë të protestojë denjësisht para qeverisë së tij, përcjell in7.


















