Sport
Ambasadori shqiptar në Kroaci viziton klubin e Lokomotivës së Zagrebit


Lokomotiva e Zagrebit prej vitesh është orientuar nga tregu shqiptar i futbollistëve dhe është shndërruar në një trampolinë drejt kampionateve elitare europiane për shumë prej tyre si Amir Rrahmani, Myrto Uzuni, Eros Grezda, etj.
Edhe këtë sezon klubi nga kryeqyteti i Kroacisë ka në përbërje disa futbollistë shqiptarë si Sherif Kallaku, Jon Mersinaj, Indrit Tuci, Enis Çokaj, Francesco Tahiraj dhe Edis Maliqi, një pjesë e mirë e të cilëve janë titullarë të padiskutueshëm dhe çmohen jo pak.
Paraditen e sotme ambasadori shqiptar në Kroaci, Riza Poda bëri një vizitë në zyrat e skuadrës së Lokomotivës në Kaisericë, teksa vetë klubi nga Zagrebi shpërndau foto të tij me futbollistët shqiptarë.
Në postimin në faqen zyrtare në Facebook, klubi i Lokomotivës njofton se ndihet e nderuar nga vizita e ambasadorit Poda dhe thekson bashkëpunimin mjaft të mirë me shqiptarët gjatë viteve të fundit, teksa evidenton emrat që kanë luajtur me bardheblutë në sezonet e shkuara, por edhe ata që janë pjesë e ekipit aktualisht.






















