Religjion
Rrjedhimet e sundimit Osman ndër shqiptarë në prizmin e pluralizmit kritik

Rrjedhimet e sundimit osman ndër shqiptarë duhet të
vlerësohen nga aspekti i legjitimitetit të vetë Perandorisë Osmane në skenën e
historisë dhe nga ndikimi që ajo pati në fatet demografike, territoriale,
fetare, politike e kombëtare të shqiptarëve, të cilët nuk qenë të vetmit që iu
ekspozuan atij sundimi, por qenë ata që përfituan bukur shumë prej tij.
Hyrje
Botimi i studimeve
historiografike e kulturologjike nga autorë shqiptarë për periudhën, natyrën dhe
rrjedhimet e sundimit osman në trojet shqiptare, ende nuk është liruar
plotësisht nga klishetë e rrënjosura ideologjike, të cilat paraprakisht e kushtëzojnë
dhe e kufizojnë studimin korrekt shkencor, i cili rezultatet mund t’i jep në
kundërshtim me vullnetin e autorit/autorëve. Bile, po të mos ishin veprat e
autorëve të huaj, pamja për Perandorinë Osmane
e edhe për marrëdhëniet osmane-shqiptare do të mbetej shumë e deformuar.
Ka ardhur koha që edhe kjo periudhë të interpretohet jashtë klisheve
ideologjike të “amnezisë strukturale”, për të kuptuar më mirë rrugët e
mbijetesës dhe të formimit të kombit shqiptar dhe perspektivat e tij në kohët që
vijnë. Pra, edhe ky tekst është përpjekje, sado modeste, që të ofrohet një mënyrë
interpretimi e çliruar nga fanatizmi ideologjik antiosman, antiturk e
antiislam, i cili po prodhon islamofobi e prej andej edhe një lloj paralize të energjisë
e të aktivizmit kombëtar.
Çështja
e legjitimitetit të Perandorisë Osmane
Pikënisja e çfarëdo
studimi të historisë së shtetit osman dhe të sundimit osman në truallin
shqiptar dhe atë evropian, duhet të jetë çështja e legjitimitetit të tij.
Shteti osman ka lindur në një proces starndard të shtetndërtimit dhe është
ngritur në një perandori me synime universale, në një proces poashtu standard
të perandorindërtimit. Në këtë proces, zgjerimi territorial dhe shtrirja e
sundimit osman është realizuar me synimet dhe me mjetet adekuate për këso
procese, duke përfshirë respektimin e legjitimitetit të bartësve të pushtetit,
qofshin dhe vasalët, mjetet politike e diplomatike të përshtatshme për
realizimin e synimeve, luftën e armatosur dhe misionin fetar. Mjete të ngjashme
kanë përdorur para saj e përdorin edhe sot, edhe shtete e perandori të tjera.
Në këtë kontekst, Perandoria Osmane jetëgjatësinë dhe efikasitetin e pushtetit
të vet, krahas legjitimitetit që buron nga natyra e tij standarde për kohën e
vet, më së shumti ia dedikon aftësisë së pushtetarëve të saj që të gjejnë
zgjidhje pragmatike për problemet me të cilat shteti i tyre është ballafaquar,
e jo ndonjë misioni fetar. “Butësia e pazakonshme, madje edhe për një shtet
mysliman, me të cilën sunduesit e parë osmanë trajtonin nënshtetastit e tyre
dhe rëndësia e madhe që u jipej kanuneve,
të cilat i përshtateshin trajtimit të “popullit të librit” dhe që përfshiheshin
në sheriatin, kishin si synim që rajatë të ishin të kënaqur me pozitën e tyre si prodhues. Kjo shpjegon
faktin që fshatarët europianë e pranuan me lehtësi sundimin osman dhe ndikuan
në modelin e konvertimit të tyre.”1.
Zgjidhjet pragmatike për
problemet fetare, sociale, gjeopolitike e gjeostrategjike kanë dominuar mbi çfarëdo
ideologjish, edhe në raste paqeje e edhe në raste luftërash. Pra, Perandoria
Osmane nuk ka qenë një shtet fanatikësh fetarë 2 që do të shkonin nga luftërat
në luftëra, për ta përhapur Islamin, sikundër mund të dëgjohet në ndonjë rast,
por ka qenë një shtet që ka respektuar rregulla standarde në arenën
ndërkombëtare, duke përfshirë edhe respektimin e traktateve të paqes e edhe
aleancat në luftë. 3)
Në këtë sfond duhet të
vendoset edhe diskutimi i historisë së prezencës osmane në trojet shqiptare,
mbi të cilat para sundimit osman, janë alternuar për shtatëmbëdhjetë shekuj sundimi romak, sundimi bizantin, bullgar,
anzhuin, serb, venedikas, etj. Rrjedhimisht, pozicioni nga i cili mund të ndriçohet
më drejt çështja e sundimit osman në territoret shqiptare, nuk është diskutimi
i legjitimitetit të atij sundimi, gjë që është shndërruar në një lloj klisheje të
ideologjisë dhe historiografisë militante shqiptare dhe veçmas të islamofobisë.4 Sipas kësaj klisheje të cilin
antropologu Xhek Gudi e ka quajtur
“amnezi strukturale”, vlerësimi për të kaluarën bëhet duke u bazuar në
qëndrimin ideologjik të tashëm. Sipas këtij interpretimi, pesë shekujt e
sundimit osman shihen duke u nisur nga fakti i ekzistimit të kombit shqiptar
dhe të shtetit shqiptar, të rrethimit të tashëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik
në Ballkan dhe në Europë, nga vlerësimi ideologjik i nocioneve Europë/Azi* dhe
nga epërsia e vlerave kulturore perëndimore në kohën tonë. Ndërsa, të gjitha
këto gjëra nuk kanë ekzistuar në këtë formë e në këtë përmasë në shekujt
XV-XIX*, të cilët janë shekujt e sundimit osman në territoret e banuara me
shqiptarë.5.
Gjendja
e shqiptarëve para ardhjes së osmanëve: një popull i ekspozuar herezisë dhe
asimilimit
Për mendimin tonë, krahas
mosdiskutimit në mënyrë të veçantë të legjitimitetit të shtetit osman dhe të
sundimit të tij, aplikimi i një analize krahasuese ndërmjet gjendjes që kanë
pasur shqiptarët, kur osmanët kanë ardhur në Ballkan dhe gjendjes që ata kanë
pasur, kur Osmanët, nën presionin e Fuqive evropiane, janë detyruar të lëshonin
territore të banuara me shqiptarë, në favor të fqinjve ballkanikë dhe kur më në
fund, në Luftën e Parë ballkanike, praktikisht u dëbuan nga Ballkani, jep
mundësi të mëdha të trajtimit objektiv dhe të ndershëm të kësaj çështjeje.
Në këtë mes njëri nga
treguesit më të rëndësishëm të natyrës së një sundimi, pa asnjë dyshim është perspektiva
demografike, fetare dhe kulturore e popullit të pushtuar/sunduar. Nëse gjatë një periudhe pushtimi/sundimi ndodhë zvogëlimi
numerik i një popullsie dhe tkurrja territoriale, atëherë kemi të bëjmë me
procese asimilimi dhe kolonizimi dhe në atë rast kemi të bëjmë me ngulfatje të
zhvillimit të popullit të pushtuar/sunduar. Dhe e kundërta, nëse ndodh rritja
demografike e një popullsie, përqafimi i një besimi fetar të qëndrueshëm dhe zgjerimi territorial i hapësirës ku ai
jeton, atëherë kemi të bëjmë me një sundim që ka krijuar kushte më të favorshme
të zhvillimit të atij populli.
Në rastin konkret, nëse
krahasohet gjendja demografike e shqiptarëve në fundin e sundimit serb dhe në
fundin e sundimit osman, ajo zbulon qartë se në rastin e parë, pra të sundimit
treshekullor serb, pati një zvogëlim demografik dhe një tkurrje ose më saktë
shpërbërje territoriale, ndërsa në periudhën e sundimit osman pati një rritje demografike dhe zgjerim të madh
të territoreve në të cilat ata jetuan. Në të vërtetë, sa i përket periudhës së
sundimit mesjetar serb, arbanasët (shqiptarët), përmenden në Zakonikun e car
Dushanit vetëm si barinj shtëtitës, bashkë me vllehët, ndërsa prezenca e tyre si
etnitet në jetën fetare, shoqërore, ekonomike të Serbisë mesjetare, nuk ndihet
fare. Numri i tyre, në trevat e larta të Kosovës së sotme e të Maqedonisë së
sotme, ka ardhur duke u zvogëluar, aq sa të përmenden vetëm si barinj shtëtitës,
të cilëve nuk duhej t’u zihej kullosa, nëse ata e kishin zënë më parë. Ndërsa, një numër i konsiderueshëm i tyre
kishin lëvizur drejt Greqisë, duke populluar tokat e atjeshme greke, të pushtuara
nga serbët.
Krahas tkurrjes
demografike, nën presionin e kolonizimit të tokave të tyre me serbë, kishte
ndodhur edhe asfiksia e plotë e identitetit fetar latin të shqiptarëve. Kufizimet
që parashihte për të krishterët e ritit latin Zakoniku i car Dushanit ishin të lemerishme. Por, edhe para Zakonikut të
tij, trendi asimilues në planin etnik dhe konvertues në planin konfesional, kishte
qenë i ngjashëm. Në fakt, prej vitit 1196 6
kur ndodhi pushtimi i plotë i Kosovës së sotme nga Serbia mesjetare e deri në
vitin 1389, shqiptarët i ishin ekspozuar një sundimi plotësisht konvertues në
planin fetar dhe asimilues në atë etnik. Natyrisht, kulminacioni u arritë kur Dushani u
shpall car i serbëve e grekëve, pra duke mos përmendur askund shqiptarët . Zakoniku
i tij, edhe pse mohonte shqiptarët si konstituentë të perandorisë së tij, u imponua si ligj edhe për të gjithë shqiptarët
që jetonin në shtetin serb. Termat e Zakonikut të tij, zbulojnë qartë ndalimin
e katolicizmit përkatësisht përndjekjen e besimtarëve të doktrinës latine dhe të
herezisë bogumile. Ligji i car Dushanit që në nenin e parë e afirmon synimin e
“pastrimit” të fesë së krishtere (të ortodoksisë), nga herezia latine: “1. Për
krishterimin: pikë së pari për krishterimin. Në këtë mënyrë të pastrohet
krishterimi.” 7
Në pajtim me idenë
kryesore, të pastrimit të krishterimit, në disa nene, veçmas në nenet 6,7, 8
dhe 10, urdhërohen masa kundër herezisë latine përkatësisht për kthimin me dhunë të të gjithë njerëzve në ortodoksi:
6.
Për herezinë latine:
Dhe
për herezinë latine, që i kanë kthyer të krishterët në bogumilë, të kthehen sërish
në krishterim, nëse gjendet dikush që dëgjon dhe nuk kthehet në krishterim, të
dënohet ashtu si shkruan në ligjin e etërve të shenjtë.
7.
Për herezinë latine:
Dhe
të nxjerrë Kisha e Madhe protopopët në të gjitha qytetet dhe në të gjitha
sheshet, që të kthejnë krishterët nga herezia latine, ata që janë kthyer në fenë
latine, dhe t’u jipet urdhër i shenjtë dhe të kthehet secili në
krishterim.
8.
Për popin latin:
Edhe
popi latin, nëse gjendet, duke kthyer të krishterët në fenë latine, të dënohet
sipas ligjit të etërve të shenjtë.
10
Për heretikun:
Dhe
nëse ndokush gjendet si heretik, duke jetuar në mesin e të krishterëve, të
damkoset nëpër fytyrë dhe të dëbohet, ndërsa kush do ta fshehte, edhe ai të
ndëshkohet. 8
Me zbatimin e këtij
ligji rigoroz të Dushanit edhe në trevat shqiptare, pasojat për
identitetin fetar dhe etnik të shqiptarëve
kanë qenë serioze, sepse ato e kanë sforcuar asimilimin e tyre në serbë. “Duke marrë para sysh mbisundimin e serbëve
ortodoksë, si edhe të gjuhës serbe në Kosovën mesjetare, ka arsye të mendohet
se rrjedha e përgjithshme e asimilimit ka qenë në favorin e serbëve, me disa
dallime të vogla. Konkluzioni kryesor duhet të jetë se, pa marrë para sysh se
në ç’shkallë ka qenë asimilimi, ai është bërë: shumë veta të cilët iu
nënshtruan këtij procesi, duhet të kenë lënë gjuhën e tyre shqipe dhe janë bërë
serbë”. 9 Prandaj, ardhja e osmanëve në Ballkanin e sotëm, i ka
gjetur shqiptarët e shekullit të XIV, në grahmat e fundit të asimilimit të tyre
etnik, fetar dhe kulturor dhe të kolonizimit të tokave të tyre nga sllavët.
Keqinterpetimi
naiv i Betejës së Kosovës
Në kontekst të këtij
realiteti të hidhur të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në shekujt
XI-XIV, edhe sa i përket ngjarjes kulmore, Betejës së Kosovës të vitit 1389, si
ngjarje që e fillon rënien e sundimit serb dhe e fillon instalimin e sundimit
osman, nuk mund të kuptohet se si mund të kenë qasje të njëjtë shqiptarët dhe
serbët, sepse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë reale, por
arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat terma atë betejë, nuk janë
racionale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka
“shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e
Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Ata thonë se car
Llazari e ka humbur pushtetin tokësor, por e ka fituar pushtetin qiellor. Kjo
mitologji është produkt i Kishës Ortodokse Serbe dhe i nacionalizmit ortodoks
serbomadh, prandaj me asgjë nuk lidhet me të vërtetat shqiptare.
Nga pikëpamja
shqiptare, ajo betejë ose roli i saj duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo
romantike. Shqiptarët nuk mund t’u konkurrojnë serbëve për t’ua marrë primatin
në rolin që kanë pasur në Betejën e Kosovës. Prandaj, kur shqiptarët flasin për
ardhjen e osmanëve në Ballkan, në këtë rast duhet të flasin për ardhjen e tyre
në territoret, të cilat kanë qenë të sunduara prej serbëve. Më saktë, këto
territore kanë qenë të sunduara nga Llazar Hrebellanoviçi,(pjesa lindore e
Kosovës me Novobërdën si qendër), nga Vuk Brankoviçi (me Prishtinën si qendër)
dhe nga Toma Preluboviçit, (ky i fundit në Epir). Ata ishin sundimtarë në
mbeturinat e dinastisë serbe, e cila filloi të fragmentohej pas vdekjes së
Uroshit në Betejën e Maricës, (1371), me ç’rast u shua trashëgimia nemanjide.
Kjo është pika të cilën duhet ta kemi gjithmonë parasysh, sepse kur kanë ardhur
Osmanët në Ballkan, nuk ka pasur një shtet shqiptar, ose mbretëri shqiptare, të
cilën ata ta kenë prishur, por ka pasur popull shqiptar që ka qenë i pushtuar
prej serbëve dhe në një proces të thelluar asimilimi fetar e kolonizimi etnik.
Pas çmontimit të
sundimit serb, që filloi më 1389, procesi i sllavizmit të shqiptarëve ndërpritet
dhe një pjesë e madhe e tyre fillojnë e kalojnë në fenë islame. “Ajo që duhet
kuptuar mirë nga ky përvijim i përciptë i ligjit muslimano-osman është se ligji
osman nuk ishte i centralizuar për të gjithë territorin, por ishte në praktikë,
një ligj i veçantë territorial, pasi feja, profesioni, vendbanimi, gjendja
shoqërore dhe seksi i çdo individi përcaktonin ligjin subjekt i të cilit ishin”
10
Kalimi i hershëm në
Islam i shqiptarëve, para së gjithash ka qenë i motivuar si ikje nga autoriteti
i dhunshëm i Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj Greke. Meqë Kisha Serbe e kishte fituar
autonominë në vitin 1219, autoriteti i saj kishte përfshirë edhe shqiptarët
ortodoksë të gjendur nën sundimin serbë së paku që nga viti 1196. Përndryshe,
sundimi osman nuk provokoi ndonjë presion ndaj kishës ortodokse serbe e aq më
pak ndaj asaj greke, i cili do t’i shtrëngonte besimtarët e tyre që të
konvertoheshin në fenë islame. Përkundrazi, toleranca ndaj Kishës ortodokse
ishte shumë e madhe.
“Pushtetet e reja që i
dha Kishës ortodokse Mehmeti II bënin në fakt që ajo të ishte një shtet brenda
shtetit. Me kalimin e kohës hierarkët filluan ta konsiderojnë veten si sundues
dhe mbrojtës de facto të të krishterëve dhe njëkohësisht si të vetmin organ për
t’u përballur me pushtetin qendror. Kisha i kreu këto detyra me një shkathtësi
të madhe. Jeta e popujve të krishterë të Ballkanit varej po aq nga efikasiteti
i autoriteteve kishtare sa dhe nga ato osmane. Kjo shpjegon faktin që dallimet
e ndryshmet midis tyre, si psh ajo me mitropolitët e Ohrit e të Pejës, u
zhvilluan në një shkallë të gjerë brenda për brenda kishës. 11
Edhe pse Kisha
ortodokse praktikisht ishte shtet në shtet, shqiptarët me shumicë e braktisën
atë. Arsyeja ishte e thjeshtë: meqë nuk kishin arritur të kishin një kishë të
veten, ata e pranuan me shumicë Islamin, në përpjekjet e tyre që të ruanin përkatësinë
etnike, duke iu shmangur asimilimit etnik në serbë, i cili imponohej përmes konvertimit
fetar në ortodoksi. “Kështu “kombi” ose mileti grek do të përfaqësohej dhe do të
drejtohej tanimë nga Patriarkana e
Stambollit. Mosmarrëveshjet midis grekëve do të zgjidheshin nga gjyqet
ortodokse. Së fundi, u lejua ushtrimi i lirë i veprimtarisë fetare. Në të vërtetë
ky status i përgjigjej gjendjes që
kishin zakonisht bashkësitë e krishtera në vendet myslimane, por
vendosja e kësaj situate në shkallë shtetërore dhe njohja e rëndësisë së
Patriarkanës përbënin një ngjarje me rëndësi.” 12
Ëshë e qartë se
autoriteti aq i madh i kishës greke e më vonë edhe të asaj serbe, mbetej me
fuqi gllabëruese ndaj shqiptarëve, prandaj kalimi i tyre në Islam ishte më shumë
ikje nga ajo politikës gllabëruese se sa si pasojë e ndonjë politike
konvertuese të osmanëve. Po qe se do të kishin osmanët politika koherente të
konvertimit fetar të të sunduarve, ato
do t’u drejtoheshin edhe popujve të tjerë e jo vetëm shqiptarëve. E vërteta është
se ata shqiptarë që ngelën nën ombrellën e Kishës Ortodokse serbe, me kohë u
asimiluan në serbë.
Kompaktësimi
etnik i shqiptarëve dhe zgjerimi territorial i tyre
Nga ana tjetër, përmes kompaktësimit etnik të motivuar nga ndarja e qartë
prej serbëve e grekëve, rrritja e popullsisë shqiptare gjatë periudhës së
sundimit osman është evidente si edhe zgjerimi territorial, i cili arriti të përthekonte
edhe tërë Shqipërinë bregdetare, Greqinë veriore, Maqedoninë e sotme dhe Kosovën
e sotme po edhe Serbinë e sotme, deri në afërsi të Beogradit. Ky ka qenë në
fakt një ekspansion demografik i shqiptarëve, i pari dhe i vetmi në historinë e
tyre, pas tkurrjes tragjike të ilirëve. Po të mos u mirreshin shqiptarëve territoret
e tyre në të cilat jetonin në periudhën e sundimit osman nga Fuqitë e Mëdha
Europiane në Kongresin e Berlinit dhe po të mos përligjej okupimi i territoreve
shqiptare nga ana e shteteve fqinje pas Luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, gjë
që provokoi eksodin tragjik të shqiptarëve drejt Turqisë, shteti kombëtar
shqiptar do të mund të ishte territorialisht disa herë më i madh se sa është
Shqipëria e sotme dhe vetë kombi shqiptar do të ishte numerikisht disa herë më
i madh nga sa është sot. Përfundimisht, mund të konstatojmë se shqiptarët hynë
në shekullin XIV nën Perandorinë Osmane si një popull i pushtuar, i defaktorizuar,
në një proces të asimilimit etnik e fetar nga serbët, ndërsa në fillim të
shekullit XX, kur dolën prej Perandorisë Osmane, ishin një komb i konsoliduar,
që ishte i aftë të luftojë për shtetin e vet kombëtar, në një rrethim ballkanik
dhe evropian shumë armiqësor.
Sugjerimet
dhe Konkluzionet
Rishkrimi i historisë së
kësaj periudhe është shumë i nevojshëm, sepse pamja e kësaj historie është e
deformuar jashtë mase nga pjesa ideologjike dhe islamofobe e historiografisë
dhe e kulturologjisë shqiptare. Natyrisht, rishkrimi duhet të mbështetet në metodat më të avancuara të studimeve historiografike
dhe interdisiplinare dhe veçmas në konceptin poperian për pluralizmin kritik
dhe për evitimin e autoritarizmit/arbitraritetit shkencor. Mund të shkruhen
disa histori e jo vetëm një histori zyrtare e autoritare. Mund t’u bëhen lexime
dhe interpretime të ndryshme të dokumenteve e fakteve të njëjta, varësisht nga
metoda dhe nga aftësia e gjykimit kritik. Vetëm spekulimet dhe deformimet e
qëllimta duhet të evitohen.
SHËNIME
1. Peter F. Sugar, Europa Juglindore nën sundimin osman,
1354-1804, Dituria, Tiranë, 2007, fq. 54
2. “Në shekullin e pesëmbëdhjetë asnjë shtet tjetër
evropian nuk i kish trajtuar hebrejtë aq mirë sa osmanët.” (po aty, fq.59)
3. Këtu po citojmë vetëm tre shembuj të sjellë nga
Historia e Perandorisë Osmane, të redaktuar nga Robert Mantrani, ku shihet ajo
natyrë legjitime e shtetit osman, e përthyer në marrëveshje me shtete e
shtetarë europianë të kohës:
a) “ Sipas traktatit që kishte pranuar të bënte me
ta sulltani më 20 shkurt 1424, bizantinët i kishin kthyer osmanëve territoret e
Marmarasë dhe të brigjeve të Detit të Zi (me përjashtim të Misivrisë dhe
Terkosit) dhe ishin zotuar të paguanin sërish tribut (haraç) “ (fq.75
b) Osmanët kishin bërë një marrëveshje të mirë për
ta me Venedikun. Republika e drobitur nga shtatë vjet luftë dhe e shqetësuar
ëpr mbrojtjen e interesave të saj ekonomike, e kërkonte paqen, prandaj dhe po e
respektonte me reptësi asnjajësinë” (fq. 79)
c) Marrëveshja e përfunduar më 12 qershor 1444 u
miratua nga Vladislavi në fund të korrikut. Me këtë akt njihej sovraniteti
osman në Bullgari dhe Vllahi, si dhe i kthehej Serbia Brankoviqit. Të dy palët
ndërluftuese zotoheshin reciprokisht të mos e kalonin Danubin. Armëpushimi parashikohej ëpr dhjetë
vjet, veçse, në këtë rast mund të bëhej pyetja se s atë sinqerta ishin të dy
palët në këto zotime. Vlladisllavi e theu shumë shoetj zotimin tij”. (fq.81)
4. Derisa po shkruhej ky tekst, u
botua edhe ky artikull skandaloz i një autori me ngarkesë
kleronacionaliste(Gjon Keka), që shpreh atë frymë militante të ideologjisë
kombëtare me elemente të islamofobisë së maskuar. “Duke ditur se sikur perandoria e errët
otomane gjatë sundimit të saj të egër e barbar ndaj kombit shqiptar pesëqind e
ca vjet e cila me anë të ideologjisë së saj të errët dhe planeve satanike
shkaktoj gjenocid ndaj kombit shqiptar, poashtu edhe pushtimi i egër serb me
anë të ideologjisë dhe planeve të saj të errëta shkaktoj gjenocid ndaj popullit
të Kosovë dhe disa nga popujve tjera të gadishullit ilirik. Gjenocid që i bënë
këta pushtues të egër dhe barbar kombit shqiptar ishte një ndër krimet më të
mëdha dhe një ndër tragjeditë më të rënda të historisë së gadishullit ilirik,
por edhe një nga kohët më të errëta që përjetoj ky rajon e sidomos kombi
shqiptar si komb i lashtë evropian dhe me një civilizim të lartë. Siç mësojmë
qëllimi i këtyre pushtueseve barbar ishte që në mënyrë sistematike të shfaros
kombin shqiptar, kulturën e tij burimore, historinë e tij, të vërtetat e tij të
lashta si dhe civilizimin e lartë evropian të kombit shqiptar si njëri ndër
kombet më të vjetra të gadishullit ilirik dhe evropian.” (ëëë.telegrafi.com , 6
maj 2011)
5. Vetë kombi shqiptar filloi të
formohej në gjysmën e dytë të shekullit XIX, shteti shqiptar u formua në
decenien e dytë të shekullit XX, kur edhe ndodhi largimi i Perandorisë Osmane
nga zotërimet e saj ballkanike, Europa e bashkuar filloi të profilizohej vetëm
pas Luftës së Dytë Botërore dhe u funksionalizua vetëm në fundin e shekullit
XX, Europa dhe Azia interpretohen si koncepte rivale qytetërimore vetëm nën
optikën e orientalizmit kolonialist, ndërsa çështja e vlerave kulturore
gjithnjë është më shumë perceptim se sa një sistem i sigurtë i matjes së tyre
të vërtetë. Prandaj, edhe kur hulumtohet dhe vlerësohet periudha e sundimit
osman të shekujve XIV- XIX, mbi shqiptarët, këto vlera të përftuara më të
shumtën e rasteve pas sundimit osman, nuk mund të jenë baza e vlerësimit
korrekt shkencor.
6. Noel Malkolm, Kosova një histori e shkurtër,
Dukagjini, Pejë, fq.
7.
http//bosnahistorija.16.forumer.com/a/dusanov-zakonik_post786.html (17
prill.2011)
8. Po aty
9. Noel
Malkolm vepër e cituar, fq.53
10. Peter F. Sugar, Europa Juglindore nën sundimin
osman, 1354-1804, Dituria, Tiranë, 2007, fq. 19
11 Po aty, fq, 57
12. Robert Mantrani, Historia e
Perandorsisë Osmane, Dituria, Tiranë, 2007, fq
93
BIBLIOGRAFIA
Historia e popullit shqiptar, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve
Mësimore, Prishtinë. 1979
Peter Sugar, Europa Juglindore nën
sundimin osman (1354-1804), Dituria, Tiranë, 2007
Robert Mantran, Perandoria Osmane,
Historia e perandorisë osmane, Dituria, Tiranë, 2004
Evlia Çelebi, Shqipëria 350 vjet më
parë, Horizonte, 2000, Tiranë
Eqrem bej Vlora, Kujtime
Franc Babinger, Mehmet Pushtuesi
Halil Inalgjik, Perandoria Osmane
Srbija i Albanci, Çasopis za kritiko
znanosti, Lubljana, 1989)
Nexhip Alpan, Nesip Kaçi, Shqiptarët në
Perandorinë Osmane
Ibrahim efendi Manzur, Ali Pasha dhe koha e tij
Mark Mazover, Ballkani, Skanderbeg books
Mehdi Frashëri, Probleme shqiptare
Noel Malkolm, Kosova
një histori e shkurtër
Nyraj Bozbora,
Shqipëria dhe nacionalizmi shqiptar në Perandorinë Osmane
Peter Bartl, Muslimanët shqiptarë në
lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)






















