Lajme
“Regjistrimi”, vazhdojnë përplasjet mes VMRO-së dhe LSDM-së

LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë vazhduar me kundërshtimet e tyre rreth miratimit të Ligjit për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive. Nga LSDM thonë se thirrja e VMRO-DPMNE-së për ta bojkotuar regjistrimin përbën sjellje skajshmërisht destruktive dhe antishtetërore, njofton TVM2.
“Kjo mënyrë e sjelljes destruktive e VMRO-DPMNE-së në lidhje me mbledhjen e nënshkrimeve dhe thirrja e qytetarëve për të bojkotuar regjistrimin është një sjellje jashtëzakonisht anti-shtetërore. Shpresojmë që në periudhën e ardhshme ata të rishikojnë vendimet e tyre për mbledhjen e nënshkrimeve për shkak të sjelljes desrtruktive dhe thirrjes për mosrespektim të ligjit për regjistrim, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë dhe për krijimin e politikave të mëtejshme, veçanërisht në lidhje me ekonominë.”,- deklaroi Marija Georgievska nga LSDM.
Por, nga VMRO-DPMNE këmbëngulin në qëndrimin e tyre se vendi duhet të organizojë regjistrim në formë elektronike. Sipas tyre, kjo mënyrë e zbatimit të regjistrimit është e vjetër dhe e politizuar.
“Ky regjistrim bazohet sipas një metodologjie të vjetër, e cila sipas nesh nuk është e harmonizuar me standardet më të larta të KB-së, BE-së dhe EUROSTAT-it. Kemi politizim të skajshëm të procesit. Në momentet e para obligim i yni është që ti shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional që ta pengojmë këtë regjistrim. Kur do të shfrytëzohen të gjitha mekanizmat institucional partia do të duhet të mendojë se cilat janë hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren që të ndërpritet një operacion i tillë politik dhe jo statistikorë.”,- tha Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
Ligji për regjistrimin e popullsisë dhe amvisërive u miratua dit më parë dhe sipas tij Maqedonia e Veriut nga 1 prilli deri më 25 prill do të realizojë regjistrimin e popullsisë 19 vite pas regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002.



















