Lajme
Rama në Athinë: Drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis

Pas vizitës në Turqi, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbërritur në Greqi ku do të takohet me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare shkruan se në Athinë do të jetë për një drekë pune me homologun e tij.
Ndër të tjera, thotë se do të diskutojnë për luftën e përbashkët kundër pandemisë së Covid-19, bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë e Greqisë, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin në Bashkimin Europian.
“Në Athinë për një drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis,për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19;forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve;bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian të rajonit tonë”, shkruan Rama në Twitter.
Dy ditët e fundit, Kryeministri Edi Rama ka qenë në Turqi për vizitë zyrtare ku u prit nga Presidenti Erdogan me nderimet më të larta shtetërore dhe të dy nënshkruan marrëveshje të partneritetit strategjik./tvklan
.


















