Lajme
Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për 3 persona në rastin “Monstra”

Në seancën gjyqësore për rastin “Monstra”, ku mbrojtja dhe prokuroria thanë fjalët përfundimtare, Alil Demiri dhe vllezërit Afrimi dhe Agim Ismailoviq u akuzuan për terrorizëm, ndërsa Fejzi dhe Haki Aziri për ndihmë në këtë vepër.
Prokurorja e këtij rasti, Fatime Fetai, pasi që precizoi aktakuzën për rastin “Monstra, kërkoi që Sami Luta të lirohet nga aktakuza për arsye të mospasjes së dëshmisë se edhe Luta është i përzier në këtë vepër.
“Të akuzuarit, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, bashkë me dy persona të tjerë me identitet të pakonfirmuar, janë dhënë në arrati nga vendi i ngjarjes me makinën “Opel Omega”, me regjistrim SK499 MT, me ngjyrë të kuqë të errët, me të cilën paraprakisht kanë ardhur me të njëjtën. Ndërsa Agim Ismailoviq me makinë tjetër është arratisur nga vendi i ngjarjes.”,- deklaroi prokurorja, Fatime Fetai.
Fetai fjalët përfundimtare i vazhdoi duke i analizuar dëshmitë që i lidhin të akuzuarit me rastin. Versioni që viktimat u vranë diku tjetër dhe u sollën në vendin ku u gjetën, sipas prokurores, është plotësisht i pasaktë dhe theksoi se kjo dëshmohet nga provat materiale dhe jomateriale të prezantuara. Edhe intencat e mbrojtjes se dëshmitari i mbrojtur është i shpikur, janë të pavërteta, pasi që prokurorët nga vetë PSP-ja patën mundësinë të shohin dëshmitarin, kështu që dëshmitari ekziston dhe nuk është shpikur. Fetai sqaroi se deklarata e dëshmitarit, mbi të cilin nuk do të bazohet aktakuza, kishte paqartësi dhe boshllëqe.
Prokurorja Fetai hodhi poshtë edhe spekulimet se fëmijët e vrarë i njihnin fëmijët e kryetarit të parlamentit, Trajko Veljanovski, dhe se ata kishin llogari të pa pastruara. Sipas saj, përpjekja e mbrojtjes për të ndërlidhur automjetin “Opel Omega” dhe të gjithë operacionin me strukturat e MPB-së është tezë krejtësisht e pasaktë qoftë nga aspekti juridiko-faktik, qoftë nga ai juridiko-logjik.
Po ashtu Fetai tha se pretendimet e kryeministrit, Zoran Zaev, në kohën kur ishte lider i opozitës se përgjimet do ta zbulojnë të vërtetën për “Monstrën”, nuk rezultuan të vërteta. ( TVM2)

















