Sport
Muriqi: Shpresoj të jem zhbllokuar, dua gola të tjerë me Lazion!


Pas më shumë se 4 muajsh pritje Vedat Muriqi festoi golin e tij të parë me fanellën e Lazios, pikërisht në ndeshjen e raundit të 1/8 të Kupës së Italisë ku me finalizimin e tij i dha kualifikimin bardhekaltërve me Lazion që mposhti Parmën 2-1 në stadiumin Olimpico. Një gol autorësinë e të cilit sulmuesi kosovar duhet ta ndante me portierin e Parmës Colombi pasi ishte ky i fundit që devijoi topin drejt rrjetës pas goditjes së bukur me kokë të shtatlartit shqiptar që preku shtyllën. Gjithsesi në intervistën që dha për Lazio Chanell, Muriqi nuk mund ta fshihte gëzimin që arriti më në fund të ishte deçiziv për skuadrën.
“Jam i lumtur për golin dhe fitoren që arritëm. Falënderoj shokët e skuadrës që më kanë mbështetur gjithmonë, edhe kur goli ka munguar. Shpresoj të jem zhbllokuar me këtë gol, në mënyrë që të shënoj të tjerë gola të rëndësishëm për të ndihmuar skuadrën“, deklaroi 26-vjeçari nga Prizreni.






















