Sport
Leipzig mposht Leverkusenin dhe e nxjerr nga gara për titullin kampion


Leipzig ka fituar me rezultatin minimal 1-0 ndaj Bayer Leverkusen në krye-ndeshjen e javës në Bundesligë dhe është konfirmuar si skuadra e vetme që do të provojë t’i heqë kurorën Bayernit të Mynihut, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë.
Skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann zhvilloi një tjetër 90-minutësh dinjitoz përballë “aspirinave” dhe shënoi golin e vetëm të takimit në minutën e 52-të me Nkunku, duke marrë një 3-pikësh që e ngjit në kuotën e 38 pikëve në vendin e dytë.
Nga ana tjetër kjo ishte humbja e tretë në 4 ndeshjet e fundit për Bayer Leverkusen, që sot krijoi shumë, por nuk finalizoi sa duhet dhe tani me 12 pikë më pak se Bayerni kryesues, mund të thuhet se ka dalë përfundimisht jashtë garës për titull.
Më herët Bayerni i Mynihut triumfoi me shifrat 4-1 ndaj Hoffenhaim dhe u shkëput në krye me 45 pikë, teksa ndjekësi më i afërt është pikërisht Leipzig, që pas 19 javësh ka grumbulluar vetëm 38 pikë.





















