Lajme
Ambasadori Qemal Minxhozi: Shqipëria do ta japë kontributin modest me vaksina – bashkimin kombëtar mund ta bëjmë, por jo territorial

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, vlerëson se pandemia e COVID-19 ka vështirësuar punën edhe në fushën e të bërit diplomaci.
Por që Kosova dhe Shqipëria si dy vende vëllazërore, sipas tij, kanë kaluar muret duke ndërtuar urat e lejueshme në rrafshin diplomatik por edhe dimensione të tjera.
Në një intervistë për KlanKosova.tv, Minxhozi ka folur për ndihmën që pritet Shqipëria t’i japë Kosovës me një kontigjent të dozave të vaksinës kundër virusit.
(Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë)
Ai këtu flet edhe për raportet Kosovë-Shqipëri, ndërrimin e shpeshtë të kryeministrave dhe për ndikimin që ka kjo në raportin dypalësh që siç thekson ai provohet të mos bëhet aq diplomaci.
Fillimisht kërkesa për njohje të gjenocidit të Serbisë në Kosovë përmes një rezolute në Kuvendin e Shqipërisë dhe paskëtaj procesi i dialogut Kosovë-Serbi, janë tema që janë prekur në këtë intervistë me Minxhozin.
Ambasadori shqiptar ka dhënë përgjigjet e tij edhe për idenë e përfolur – edhe së fundmi – rreth bashkimit kombëtar.
“Duhet të ecim drejt një bashkimi në mes nesh…” është shprehur ai.
INTERVITA E PLOTË:
Marrëdhënia Kosovë-Shqipëri është shumë më shumë marrëdhënie shpirtërore sesa një marrëdhënie normale mes dy shtetesh kudo. Po bëhet gati një vit që prej kur pandemia e COVID-19 e ka izoluar botën. Sa e ka “izoluar” marrëdhënien Kosovë-Shqipëri ky virus?
Qemal Minxhozi: Ka një kufizim që është krejt normal mund të jetë, por kjo është në planin e shkëmbimeve, biznesit, ku ka pasë një tkurrje për shkak të krizës. Nuk kishte se si Kosova dhe Shqipëria të mos afektoheshin. Raportet do të mund të ishin më negative nëse të dy qeveritë të mos koordinoheshin mes vete për ta bërë sa më pak të dhimbshme këtë situatë. Ka pasë një liberalizim të kufijëve Kosovë-Shqipëri. Kufiri Kosovë-Shqipëri në të shumtën e rasteve ka qenë kufi i kalueshëm, s’kemi kërkuar certifikata, teste, dokumenta që do të mund të pengonin në këtë drejtim.
“Nuk kemi pasur izolim sikuse që kanë pasur vendet tjera. Me sforco ose pas shumë përpjekjeve jemi munduar që ta ruajmë tredin e vazhdueshëm të këtyre marrëdhënieve. Janë 25 milionë euro më pak mallra të importuara. Jemi munduar që dhimbja të jetë sa më e pakët dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve të ndërsjella.
Marrë parasysh situatën me koronavirusin, por edhe jashtë kësaj, cila është marrëdhënia diplomatike Kosovë-Shqipëri?
Qemal Minxhozi: Mundohemi të përdorim sa më pak diplomaci me Kosovën sikurse Kosova me ne. Kemi në agjendë të përbashkët integrimin në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike, fuqizimin e shoqërisë civile për të përkrahur sfidat që kemi para. Kemi një agjendë në këtë drejtim.
Jemi vende aspirante për BE. Shqipëria është pak më përpara, Kosova pak më poshtë. Kemi qëlllim të përbashkët: Qëllimi i diplomacisë shqiptare është që të ndikojmë që Kosova të jetë pjesë e tryezave ku ka munguar deri më sot. Është proces i vështirë por gjatë gjithë kohës përpjekjet janë maksimale në këtë drejtim. Në planin diplomatik midis dy ministrive të jashtme, trendi ka qenë pozitiv për bashkëpunim sa më tepër efektiv.
Cili është bashkëpunimi me Ambasadën e Kosovës në Tiranë dhe Ambasadorin Nait Hasani?
Qemal Minxhozi: Edhe në planin shoqëror, atë kombëtar dhe profesional është shumë i mirë.
Shqipëria tashmë ka nisur procesin e vaksinimit kundër COVID-19. Kryeministri Edi Rama ka premtuar se një sasi dozash të vaksinës do të ndahen edhe për Kosovën. Kur do të vinë në Kosovë kjo sasi vaksinash?
Qemal Minxhozi: Çështja është që edhe Kosova dhe Shqipëria janë në pritje të vaksinave. Shqipëria ka pranuar një sasi shumë të vogël dhe mendojmë që me rritjen e sasive – nëse në Kosovë nuk kanë ardhur ende – Shqipëria do të japë kontribut sado modest në këtë drejtim.
(Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë)
Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja të përgjithshme që po mbahen pak më shumë se një vit prej atyre paraprake. Jemi dëshmitarë të qëndrimeve kundërshtuese në mes të Kryeministrit Rama me dy ish kryeministrat kosovarë, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti. Sa po ndikon në marrëdhënien dypalëshe Prishtinë-Tiranë, ndryshimi i shpeshtë i pushteteve/kryeministrave?
Qemal Minxhozi: Do të ishte shumë mirë që çdo qeveri kudo, të kishte mandat të plotë. E mira do të ishte kështu, prapseprapë nuk mund ta çuajmë të pashëndetshme kur forcat politike mendojnë për të ecur përpara proceset, të ketë ndërrime zgjedhje të parakohshme dhe kjo ka ndodhur në Kosovë. Gjithsesi kjo nuk ka pasur influencë në zbehjen e marrëdhënieve midis dy shteteve tona.
Kemi pas rritje të shkëmbimeve të ndërsjella më 2019 prej 305-307 milionë – një shifër e pakrahasueshme me vitin 2016 kur kemi pasur vetëm 160 milionë. Ndryshimi i kabineteve këtu… nga qeveritë e Kosovës ka qenë një qëndrim korrekt duke bashkëpunuar me institucionet e ndërsjella. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane por janë pjesë e një kombi. Duhet të veprojmë në të dy aspektet edhe si bashkëkombas dhe si dy shtete të ndara për një qëllim: prosperimin si të Shqipërisë ashtu dhe Kosovës.
Po mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare që është bërë një traditë e mbajtjes së saj, sa po ndikon në afrimin dhe rifreskimin e marrëdhineve dyshtetërore?
Qemal Minxhozi: Mbledhjet e qeverive kanë filluar nga 2014. Ka pasur shumë debate që nuk janë efektive. Do të donim që të ishim shumë më shumë fikase, por kjo nuk do të thotë se nuk ka arritje. Barometri kryesor i arritjeve është sa ne ndër vete shkëmbjemë mallra dhe bashkëpunojmë dhe kjo nga viti në vit është rritur.
Pavarësisht se kush ka qenë në pushtet në Kosovë ka qenë një trajektore shumë pozitive sa i përket zhvillimit të marrëdhnieve. Për Qeverinë e Kosovës marrëdhënia me Shqipërinë ka qenë prioritare gjithmonë, reale dhe këto kanë dhënë rezultate. Kemi gjetur bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet, kryeministrat, dhe urojmë që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ka një thirrje nga Kosova që Parlamenti i Shqipërisë ta miratojë një rezolutë përmes së cilës do të njihej gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë gjatë luftës së 1999-ës. Pse s’po ndodh kjo dhe a do të duhej të ndodhte?
Qemal Minxhozi: Edhe Shqipëri edhe Kosova janë në një periudhë parazgjedhore. Ka pasë kërkesa për një gjë të tillë. Nuk është shumë substanciale. Kam pasë fat të jem deputet për dy mandate në Kuvendin e Shqipërisë para se vija këtu. Janë aprovuar disa rezoluta ku dënohet dhuna serbe dhe bëhet thirrje për dialog.
Nuk duhet ta marrim si të qenë se Shqipëria nuk e përkrah këtë. Liderët e gjithë spektrit politik kanë qenë shumë të fokusuar që të përkrahet lufta e UÇK-së, vlerat patriotike të luftës dhe kanë dënuar gjenocidin. Deklarata në fjalë mund të ishte bërë por kjo nuk tregon se Shqipëria ka treguar hendikep dhe nuk ka treguar mbështetje për luftën e drejtë çlirimtare që solli lirinë e këtij vendi.
Kosova ndodhet në prag të zgjedhjeve. Deri më tani ka qenë Lëvizja Vetëvendosje që ka përmendur idenë e bashkimit kombëtar. Së fundmi me këtë ide doli edhe Ramush Haradinaj i AAK-së. Si i shihni këto deklarata, a po bëhen vetëm për fushatë elektorale?
Qemal Minxhozi: Nuk kam parë platformë të shkruar dhe nuk mund të jap ndonjë mendim. Kjo çështje në Kosovë diskutohet për 20 vjet të paktën – të një intesiteti, nga forca politike të ndryshme, individë, parti. Mund ta bëjmë bashkimin kombëtar por në një fushë tjetër, por jo territorial – bashkim vlerash të përbashkëta për t’u dhënë shtytje zhvillimeve politike, ekonomoike dhe sociale. Si Kosovë edhe në Shqipëri të jemi një zë në politikën e jashtme, në hartimin e politikave ekonomike, një zë në BE për thithjen e investimeve. Ka sektorë që kemi ecur shumë mirë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me FSK-në, bashkëpunim energjetik, në planin kulturor…
Duhet të ecim drejt një bashkimi në mes nesh, të kemi investitorë të fuqishëm dhe politika të përbashkëta. Të ulim burokracinë dhe të kemi ligje që i shërbejnë kësaj. Këtu e shoh bashkimin kombëtar sesa heqjen e një kufiri. Me e rëndësishmja është bashkimi i vlerave që do të ndikonim që Kosova dhe Shqipëria që jenë një zë i vetëm. Kjo do të ishte vlerë shumë e madhe. Ky bashkim është më i rëndësishëm. Duhet të jemi më tepër bashkëpunues. Bashkimi kombëtar është shumë më i gjerë sesa ai që shtrohet sot.
Sivjet bëhen 10 vjet prej kur në Bruksel ka nisur procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Si e sheh Shqipëria këtë proces, a janë të mjaftueshme të arriturat për një dekadë?
Qemal Minxhozi: Për dhjetë vjet Kosova ka ecur shumë përpara. Demokracia është zhvilluar. Ka të arritura në disa sekotrë. Kosova nga viti në viti shikon nivele të tjera zhvillimi, përparimi drejt standardeve të BE-së. Duke futur frymën e BE-së në institucione. Me dialogun mund të ishte bërë më tepër. Kur flasim për dialog duhet të heqim nga mentaliteti ynë elementin e forcës.
Dialogu është një diçka që nuk i duhet vetëm Kosovës por edhe Serbisë për shumë arsye. Duhet të ketë një dialog, duhet të jetë një domosdoshmëri. Beogradi duhet të kuptojë se është në të mirën e tij, vendosja e urave të dialogut konkret pa paragjykime me Kosovën. Do të jetë një diçka jo një element demokratik por që i shërben edhe për zhvillimin e saj ekonomik. Kosova është partner i rëndësishëm ekonomik për Serbinë dhe duhet të vendosë raporte sikurse me vendet tjera. Kosova po këkron raport normal sikurse me vendet tjera të rajonit.
Edhe Kosova duhet ta mendojë si imperativ të kohës që kjo çështje duhet të ecë përpara. Është me rëndësi për Kosovën zhvillimi i marrëdhënieve me Serbinë në baza lojale. Të gjitha partitë politike duhet të kenë një zë dhe nuk duhet të ketë diversifikim. Kosova duhet të jetë një zë i vetëm në këtë drejtim që është çështje shumë e madhe jo thejshtë që e kërkon BE apo Amerika, por e kërkon zhvillimi.
Nuk mund të jemi gjithmonë në luftë, duhet ta shmangim luftën kur jemi në paqe. Fqinjin nuk e zgjedh dhe duhet ecur në këtë drejtim. E shikoj atë që ka thënë BE dhe Amerika për këtë problem. Nuk duhet ta bëjmë pse na e kërkojnë aleatët, sepse e kërkon koha. Marrëdhëniet duhet relaksuar.
(Qemal Minxhozi, Ambasador i Shqipërisë në Kosovë)
Fotografitë e realizuara nga Bleron Llugiqi.
.




















