Religjion
Idetë dhe parimet themelore të kuranit (pjesa e parë)

Falënderimi i takon vetëm Allahut i Cili na ka krijuar, na ka dhënë shpirt, na ka dhënë mendje, na ka dërguar pejgamberë dhe shpallje, në mënyrë që ta njohim Atë, dhe prej Tij të kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Paqja dhe shpëtimi qofshin mbi Pejgamberin e mëshirës, i cili na i transmetoi fjalët e Allahut, duke na mësuar se si të jetojmë sipas Kuranit. I dërgojmë salavate dhe selam familjes së tij, sahabëve dhe tabi’inëve, si dhe të gjithë pjesëtarëve të umetit të tij nga Lindja në Perëndim.Vëllezër të respektuar!Në këtë hutbe dhe në hutben vijuese, me vullnetin e Allahut, do të flasim për Kuranin dhe mesazhet, idetë dhe parimet e tij themelore, në mënyrë që të fitojmë një pasqyrë mbi temat e tij themelore për të cilat flet Kurani.
1. Zoti është një – vetëm Allahu është Zot.
Mesazhi themelor dhe më i rëndësishëm i Kuranit me të cilin kanë ardhë të gjithë pejgamberët është se ZOTI ËSHTË NJË, si dhe ajo se VETËM ALLAHU ËSHTË ZOT. Kjo do të thotë, që vetëm Atij i përkasin atributet e përsosmërisë, përjetësisë, plotfuqisë, gjithëdijes, krijimit, menaxhimit, etj; përkatësisht, që vetëm Atij i përket adhurimi – vetëm Atij duhet qeniet njerëzore dhe të gjitha krijesat e tjera t’i shërbejnë, t’i binden dhe t’i robërohen pa diskutim. Dhe këtu qëndron përmbushja e qëllimit të jetës së krijesave. Kurse bindja verbërisht, shërbimi dhe ndjekja e tjetër kujt apo diçkaje, përtej dhe në kundërshtim me atë që Zoti ka urdhëruar, si dhe vendosja në nivel me Zotin e çdo gjëje tjetër është shirk – partneritet. Vendosja e partnerëve dhe konkurrentëve me Zotin, është mëkati më i madh dhe sipas Kuranit i pafalshëm.Allahu i Plotfuqishëm e ka krijuar njeriun dhe i ka dhënë shumë dhurata dhe begati, dhe atij ia ka nënshtruar gjithçka që ka në qiej dhe në Tokë. Për të qenë mirënjohës për këto dhurata të panumërta, njeriu duhet ta respektojë Zotin dhe të jetë i përkushtuar dhe i nënshtruar ndaj vullnetit të Tij. Përveç kësaj, Ai është i Gjithëdijshmi, Ai është Krijuesi i qenieve njerëzore dhe Ai e di se çka është më e mira për ta. Kohë pas kohe, Ai ka shpallë Libra me instruksione dhe udhëzime të hollësishme për jetë të suksesshme, mirënjohëse dhe të duhur. Ndjekja e udhëzimeve të Tij dhe rregullimi i jetës sipas tyre, do të rezultojë me jetë të bukur dhe sukses në këtë botë, dhe veçanërisht në botën tjetër – jetën e përjetshme e cila do të ndodhë pas Ditës së Gjykimit, kur të gjithë, pasi të vdesin, do të ringjallen dhe do t’i japin llogari Zotit për atë që kanë vepruar.
Nga ana tjetër, ndjekja e cilësdo ideologjie tjetër, përveç asaj që Zoti e ka vendosur dhe shpallur për krijesat e Tij, është shirk (vendosje e të tjerëve në të njëjtin nivel me Zotin) dhe do të rezultojë me pasoja katastrofike si për jetën në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Allahu thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt të do. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (En-Nisa‘, 48)
Pra, ndjekja e çfarëdo libri, ideologjie, feje, autoriteti, etj., përveç drejtimit të treguar nga Zoti në Librin e tij paraqet devijim, lajthitje dhe mosbindje ndaj Zotit, që do të rezultojë në pasoja të këqija për njeriun.Përveç këtij parimi themelor, në Kuran ka edhe parime të tjera, të cilat do t’i theksojmë dhe flasim shkurtimisht. Parimi vijues për të cilin flitet në Kuran është:
2. Përdorimi i mendjes (arsyes).
Është e vështirë të lexojmë disa faqe të Kuranit, pa hasur në vendet ku përmenden dhe vendosen në piedestal të lartë: përdorimi i mendjes, reflektimi, përsiatja, të kuptuarit, dituria, studimi, pyetja, hulumtimi, arsyetimi, etj. Ky është një nga gurët e themelit të ideologjisë kuranore. Mendja është dhuratë shumë e madhe e Zotit, dhe njeriu nuk duhet të hezitojë që ta përdorë, përkundrazi, kjo dhuratë duhet të ushtrohet, të përsoset dhe të zhvillohet. Njeriu me të dallohet mbi shumë krijesa të tjera, dhe ajo kryesisht njeriun e bën njeri. Të gjitha këto që i theksuam, janë një mesazh i madh i Kuranit, sepse mos përdorimi i mendjes, njeriun e çon në mosbesim dhe mosmirënjohje ndaj Zotit, kurse përdorimi i saj, njeriun e nxjerr nga errësira në Rrugë të drejtë. Kurani është shpallje e cila mbështetet në argumente dhe ajete të qarta, ku duke përdorur mendjen ne arrijmë të dimë se Allahu është Ai, që ka krijuar të gjitha këto, se Allahu i jep jetë gjithçkaje, se Allahu krijon dhe shpërbën gjithçka, dhe se Ai ka fuqi mbi gjithçka. Kështu, për shembull, Allahu i lavdëron ata që e përdorin mendjen për ta njohur Zotin e tyre dhe thotë: „Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës (dukjen dhe zgjatjen e tyre), ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.“ (Alu Imran, 190) Gjithashtu, thotë: “Për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, dhe ndenjur, shtrirë; dhe që mendojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës. (Dhe thonë): “O Zoti ynë! Nuk i ke krijuar kot këto”, – të falenderojmë Ty – dhe ruana nga ndëshkimi i zjarrit.” (Alu Imran, 191) Përveç domosdoshmërisë së të menduarit dhe përdorimit të mendjes, një parim i rëndësishëm që Kurani e thekson, është edhe:
3. Të menduarit me kokën tonë.
Ndjekja verbërisht e të tjerëve, pa u mbështetur në argumente (sidomos paraardhësit, mësuesit dhe autoritetet) në Kuran gjykohet dhe qortohet ashpër si praktikë e heretikëve. Besimtarët përshkruhen si ata që mendojnë me kokën e tyre, të cilët kanë besim te vetja dhe që nuk i ndjekin verbërisht të tjerët, por duke besuar te Zoti, duke e përdorur mendjen që Zoti ua ka dhënë atyre, dhe diturinë e shpallur nga Zoti, ata e dallojnë të vërtetën nga e pavërteta dhe rrugën e drejtë nga rruga e shtrembër. Parimi i vijues është:
4. Refuzimi i traditës, zakoneve dhe gjithçkaje tjetër që është në kundërshtim me Librin e Zotit.
Islami hodhi poshtë çdo traditë të arabëve paraislamikë, që ishte në kundërshtim me Islamin, si p.sh. varrosja e fëmijëve femra, ose martesa me dy motra në të njëjtën kohë, etj. Mirëpo, çdo traditë që në thelb ishte fisnike dhe përgjithësisht e dobishme, Islami atë e ka ruajtur, si p.sh. qostia e musafirit, mosluftimi në muajt e shenjtë, në të cilët haxhinjtë përgatiteshin për ritet e haxhit, etj. Edhe sot, kemi shumë gjëra që futen në shoqërinë tonë dhe që ne i konsiderojmë pjesë të traditës sonë, mirëpo, masë vlerësuese është Kurani dhe suneti i Pejgamberit tonë (savs), në mënyrë që çdo gjë që nuk pajtohet me ta të hidhet poshtë.Në përfundim të hutbes së sotme, do ta përmendim edhe një parim shumë të rëndësishëm, dhe ai është:
5. Veprat e mira.
Në më shumë se njëqind vende në Kuran, Allahu i Plotfuqishëm e përmend dhe e urdhëron bërjen e veprave të mira. Ato paraqesin një nga karakteristikat kryesore dhe të pandashme të besimtarëve. Sipas Kuranit, një person nuk mund të jetë besimtar, nëse ka dështuar në vepra të mira. Ato, në fakt, janë pasqyrë e besimit tonë. Fjalët e fesë dhe thirrjes në Allahun, por pa vepra të mira, sipas Kuranit paraqesin hipokrizi, e cila në botën tjetër do të rezultojë me një pozitë edhe më të keqe se pozita e jobesimtarëve. Ata që nuk veprojnë atë që flasin, shumë herë janë paralajmëruar në Kuran. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni? Te Allahu është shumë e urrejtur ta thoni atë që nuk e punoni!” (Saff, 2-3)T’i lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na bëjë prej atyre që meditojnë në argumentet e Tij, të cilët do ta duan Kuranin, dhe, do ta ndjekin dhe veprojnë vetëm atë që është e mirë. Amin.
Hatib: Bilal ef. Hodžić;
Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini





















