Sport
Gentian Selmani ndryshon ekip, por mbetet në ligën e parë turke


Gentian Selmani është zyrtarisht portier i Boluspor, skuadër nga qyteti i Bolu, që militon në ligën e parë turke. Portieri 23-vjeçar largohet kështu pas një sezoni e gjysmë nga Menemespor, por nuk ndërron kategori duke firmosur me ish ekipin e Superligës turke.
Pas 50 ndeshjeve me Menemespor dhe paraqitjeve të mira me këtë ekip, vjen kontrata e re për portierin nga Fushë-Kruja, i cili firmos për dy sezone e gjysmë me Boluspor, teksa përmirësohet ndjeshëm edhe aspekti financiar në skuadrën që lufton për t’u rikthyer në elitën e futbollit turk.
Prej kohësh portieri i përfaqësueses së Shqipërisë është ndjekur me vëmendje nga shumë skuadra, por duket se drejtuesit e klubit nga Bolu janë treguar më të shpejtë duke mbyllur gjithçka. Ish portieri i Laçit ka qenë protagonist tek Menemespor dhe pritet që të japë kontributin e tij menjëherë duke nisur nga kjo fundjavë.
Boluspor renditet në vendin e 13 më 19 pikë, po aq sa edhe Menemespor skuadra ku Selmani u aktivizua në aventurën e tij të parë në tokën turke. 23-vjeçari pritet të debutojë në katërkëndëshin e portës së skuadrës së tij të re që këtë fundjavë, me Boluspor që do të presë të dielën në shtëpi Adana Demirspor.






















