Connect with us

Lajme

Dëshmi tronditëse nga helmimi i nxënësve: Shokët dhe shoqet nisën të villnin (Më shumë se 10 të helmuar)

Publikuar

Detaje të reja dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në një shkollë private në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit u helmuan disa nxënës. Burime bëjnë me dije se janë më shumë se 10 nxënës që kanë pasur probleme, dhe jo 6 që thuhej në njoftimin e Policisë së Tiranës për rastin në fjalë.

Nxënësit shprehen se e kanë ndjerë erën e keqe të gazit që në orën e parë të mësimit, dhe kanë qendruar aty për 3 orë, derisa disa prej tyre nisën që të villnin. Ata shprehen se gazi ka rrjedhur nga kaldaja që përdorej për ngrohjen e klasave, dhe shtojnë se në shkollë janë nxënës të të gjitha moshave, përfshirë ato të kopshtit.

“Kaldajave u plasi gazi, unë jam në mimimaturë, jemi të gjithë aty, gjimnazi, parashkollor. Filluam që të ndjenim erën e keqe që në orën e parë të mësimit, më pas qendruam dhe tre orë të tjera me dritare hapur, aq sa disa prej shokëve dhe shoqeve nisën të villnin”, thuhet në dëshminë ekskluzive që ka siguruar Fax News nga një prej nxënëseve të mitura.

Burime nga pediatria e QSUT-së bëjnë me dije se dy prej fëmijëve janë duke u trajtuar me oksigjen, ndërkohë që gjendja e të tjerëve paraqitet më e mirë. Në oborrin e urgjencës së pediatrisë kanë mbërritur tashmë dhe familjarë të nxënësve që kanë pësuar helmim, të cilëve po iu merret dëshmia dhe nga punonjës të Policisë.

”Në lidhje me parapraken e dhënë në lidhje me rrjedhjen e gazit në ambientet e jashtme të shkollës Jo-Publike, në rrugën “Don Bosko”, ju informojmë se në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore edhe 2 nxenës të tjerë. Gjithsej 6 nxënës të dërguar në spital, të gjithë jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e dytë të Policisë së Tiranës.(Faxweb.al)

NA NDIQ NË FACEBOOK