Connect with us

Religjion

Begatitë e dimrit në Islam

Publikuar

Shumë
njerëz mendojnë se kur vjen dimri vijnë vetëm probleme, rrugët e mbushura me
borë, ngricat e rënda, ftohjet dhe netët e mërzitshme të gjata të dimrit.
Kështu dimrin e shikon njeriu i zakonshëm i cili nuk është i vetëdijshëm
për mirësitë e Allahut që dimri u sjell njerëzve.

Gjithashtu
duhet të theksojmë se përfitimet e dimrit nuk pasqyrohen thjesht në skijim apo
në shkatërrimin e baktereve të dëmshme në ajër, por këto begati kryesisht reflektohen
në imanin dhe në ibadetin tonë. Në dimër, ne shumë lehtë mund të arrijmë te një
numër i madh i sevapeve, duke bërë ibadete të caktuara të cilat është shumë më
vështirë të praktikohen në ndonjë stinë tjetër.

Për
këtë arsye Pejgamberi (savs) dimrin e ka quajtur ‘fitim i lehtë’.

Transmeton
Amir ibn Mesudi (r.a.) se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Agjërimi gjatë
dimrit është fitim i lehtë.”
(Tirmidhiu)

Kurse
Ebu Hurejre (r.a.) në një rast u ka thënë shokëve të tij. „A doni të ju
udhëzoj për një fitim të lehtë?
Ata u përgjigjen: “Duam”. Atëherë
Ebu Hurejre (r.a.) tha: “Agjërimi gjatë dimrit është fitim i lehtë.“

Pra,
shkurtësia e ditës në dimër i ofron besimtarit begati të papërshkrueshme, nëse
ditët në dimër i kalon në agjërim. Nëse nuk mund të agjërosh çdo të dytën ditë
si agjërimi i Davudit (a.s.), atëherë agjëro të hënën dhe të enjten; në qoftë
se edhe kjo është e vështirë, atëherë mund të agjërosh ditët e bardha, a ato
janë dita e 13, 14 dhe 15 e çdo muaji (hixhrij); po në qoftë se edhe kjo është
e komplikuar, atëherë të agjërohen nga tri ditë në çdo muaj, sepse Pejgamberi (savs)
ka thënë: “Kush agjëron nga tri ditë në çdo muaj, është si të ketë
agjëruar gjithë vitin.”

Gjithashtu
në një hadith hasen thuhet se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Dimri është pranverë
për besimtarin, netët e gjata shfrytëzohen për namaz, kurse ditët e shkurtra për
ajërim.“

Duke
komentuar këto fjalë të Pejgamberit (savs), Ibn Rexhebi ka thënë:
“Dimri është pranverë për besimtarin, sepse ofron një kopsht me shumë
lloje të veprave të mira dhe ibadeteve të cilat është lehtë për tu
përmbushur.”

Se
sa i janë gëzuar shokët e Pejgamberit (savs) ardhjes së dimrit, më së miri na
tregon transmetimi në të cilin thuhet se Ibni Mesudi (r.a.) kur vinte dimri
thoshte: “Mirë se na vjen o dimër, në ty ka përfitime të mëdha, netët
janë të gjata për namaz dhe ditët janë të shkurtra për agjërim.“

Hasan
el-Basriu (r.h.) ka thënë: “Dimri është stina më e mirë e vitit për
besimtarin, netët janë të gjata për namaz, kurse ditët të shkurtëra për agjërim.“

Gjithashtu
në transmetim thuhet se Ubejd ibn Umejri kur vinte dimri u thoshte njerëzve: “O
lexues të Kuranit, nata është zgjatur për lexim të Kuranit, andaj lexoni, kurse
dita u është shkurtuar për agjërim, andaj agjeroni.“

Nga
transmetimet e mësipërme dhe nga fjalët e brezave të nderuar, vijmë në
përfundimin se dimri me vete sjell përfitime të mëdha për besimtarin, i cili
përpiqet që çdo moment të jetës së tij ta shfrytëzojë në përulje dhe nënshtrim e
bindje sa më të madhe ndaj Allahut të Plotfuqishëm.

Për
fat të keq, sot janë të rrallë shembujt e njerëzve të cilët begatitë e dimrit,
ditët e shkurtëra dhe netët e gjata i shfrytëzojnë në mënyrën e duhur. Një
numër i madh gjatesinë e natës së dimrit e shfrytëzojnë duke luajtur letra dhe
për zbavitje të tjera deri në agim, kurse shkurtësinë e ditëve e përdorurin për
të fjetur në vend të agjërimit.

I lutemi
Allahut të Madhërishëm që të na jepë fuqi dhe ta
shfrytëzojmë çdo mundësi të ofruar që na afron tek Krijuesi i Lartësuar. Të jemi prej atyre që do t’i shfrytëzojnë këto
begati të dimrit, dhe kështu ta fitojmë dashurinë e Allahut.

Dhe, le t’i
kemi në mendje gjithmonë
fjalët e Jahja ibn
Muadhit, kur thotë: “Nata është e gjatë
– andaj mos e shkurto duke fjetur, kurse Islami është i pastër – andaj mos e përlyej me sjelljen tënde!”

Autor: Izet ef. Bibic;

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK