Connect with us

Sport

Bayerni vijon shkëputjen në krye, fitojnë edhe Dortmund e Eintracht

Publikuar

Pak orë para përplasjes direkte mes ndjekësve, Leipzig-Bayer Leverkusen, Bayerni kryesues ka regjistruar një tjetër sukses dhe është shkëputur me plot 10 pikë në krye të renditjes, pasi tani e sheh veten në kuotën e 45 pikëve.

Bavarezët dominuan totalisht sfidën ndaj Hoffenhaimit në shtëpi dhe shënuan nga dy gola për çdo pjesë, me Boateng e Muller në pjesën e parë dhe Lewandowski e Gnabry në 45-minutëshin e dytë, ndërsa miqtë gjetën golin e vetëm me Kramariç.

Pas një barazimi dhe dy humbjeve radhazi, rikthehet te fitorja edhe Borussia Dortmund, që mposhti Augsburgun me rezultatin 3-1 në “Signal Iduna Park”.

Miqtë kaluan të parët në avantazh me golin e Hahn që në minutën e 10’, ndërsa Dortmundi barazoi me Delaney, vetëm pak minuta pasi sulmuesi kryesor Erling Haaland shpërdoroi një penallti.

Në pjesën e dytë verdhezinjtë shënuan edhe dy herë të tjera, fillimisht me anë të Jadon Sanchos dhe më pas me autogolin e Uduokhai, duke vulosur suksesin që e ngjit përkohësisht në vendin e 5-të me 32 pikë.

Vijon të bëjë mirë edhe Eintracht Frankfurt, që mposhti Herthën e Berlinit me rezultatin 2-1 me përmbysje dhe u ngjit përkohësisht në vendin e tretë, me 33 pikë.

Miqtë nga kryeqyteti kaluan në avantazh me anë të Piatek në minutën e 66’, por vetëm dy minuta më vonë ishte Andres Silva që riktheu baraspeshën, para se Hintereger të shënonte edhe golin e dytë për vendasit.

Në sfidat e tjera, Werder Bremen mposhti Schalke 04 me rezultatin 2-1, falë një goli të shënuar në minutat shtesë, ndërsa Borussia Monchengladbach nuk shkoi përtej barazimit 1-1 në transfertën berlineze ndaj Unionit.

NA NDIQ NË FACEBOOK