Lajme
Basha prezanton programin: 110 mijë vende pune dhe pagë minimale prej…

Me sloganin “Shqipëria fiton”, demokratët kanë prezantuar ditën e sotme programin ekonomik me të cilin do u drejtohen shqiptarëve në zgjedhjet e 25 prillit. Qëllimi, tha kryedemokrati Lulzim Basha në prezantimin e tij, është rimëkëmbja e ekonomisë.
Disa nga pikat kryesore të këtij programit, për të cilin Basha tha se janë dashur 2 vite për ta hartuar, është hapja e 110 mijë vendeve të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, 3 mijë lekë në muaj për bebet e porsalindura për 5 vitet e para të jetës.
Në qofte se biznesi shkurton vende pune nuk ka asnjë vlerë rritja e pagës minimale, ndaj qeveria jonë do të mbështesë dhe do të mbrojë të gjithë punonjësit dhe të vetpunësuarit, sepse kjo është detyrë bazë e qeverisë të mbrojë interesat e njerëzve, por njëkohësisht përmes masave tona fiskale dhe ekonomike qeveria do të garantojë konkurrueshmërinë e të gjithë punëdhënësve, të cilët jo vetëm nuk do të humbin, por do të përfitojnë nga masat e planit tonë ekonomik, duke bërë të mundur që të gjithë të dalin të fituar nga ky plan.
Për 8 vite Rama jua rriti taksat shqiptarëve dhe i varfëroi ata, unë angazhohem t’i ul taksat mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh, dhe po kështu të vendosim taksën 9% të fitimit mbi të gjitha sipërmarrjet shqiptare me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja.
16 pikat e programit ekonomik të PD-së
1.Minimumi 110 mijë vende të reja pune për shqiptarët,
2.Paga minimale 36 mijë lek të reja në muaj
3.Ulja e taksës mbi të ardhurat personale në 9%, duke ruajtur fashën mbrojtëse ekzistuese prej 30 mijë lekësh
4.Taksë 9% të fitimit mbi të gjitha bizneset me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja.
5.Ulja e sigurimeve shoqërore në vlerën 18%
6.Totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme jo më i lartë se 0.5% e xhiros
7.Anulimi i taksës prej 24 lekë të reja për litër mbi karburantin
8.Çdo litër karburant do t’ju kushtojë 240 lekë më pak të vjetra për operatorët turistik
9.Rritja e pensioneve me të paktën dyfishin e normës së inflacionit dhe në çdo rast jo më pak se 5% në vit
10.Ulja e çmimit e energjisë elektrike dhe çmimin e karburante,
11.Mbulimi shpenzimet arsimore për tarifat universitare për 90% të studentëve që vijnë nga familje me të ardhura me pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj
12.Tekstet shkollore do të jenë falas për të gjithë ciklin parauniversitar
13.Çdo familje do të përfitoj për të porsalindurit një pagesë mujore prej 3 mijë lekë të reja për 5 vitet e para të jetës.
14.Qeveria do të paguaj 100% interesat bankare për çdo kredi që do të marrin çiftet e reja për të blerë një apartament apo një banesë.
15.20 mijë çifte dhe familje të reja që do të kenë strehim përmes skemës së subvencionimit të interesave në mandatin e parë
16.100 milionë euro mbështetje direkte, si dhe sigurimin e fondeve për çdo kulturë bujqësore ose blegtorale


















