Connect with us

Religjion

Allahu nuk i pëlqen njerëzit mendjemëdhenj

Publikuar

Abdullahu njëherë i tha djalit të tij:
”O biri im, të dëgjova dje duke i thënë nënës sate:’Unë jam më i mirë se Seidi,
ajetet kuranore që duhej t’i mësonim përmendsh,unë i mësova për një ditë, kurse
atij, për t’i mësuar ato i janë nevojitur madje tri ditë.’ ”

Djali u përgjigj: “Po, baba, unë ashtu
i kam thënë. A e konsideroni ju gabim që unë e kam thënë të vërtetën?”

Babai vazhdoi: “Unë gjithashtu të
dëgjova duke thënë: ‘Babai im është mësues dhe njerëzit e respektojnë dhe e
vlerësojnë, kurse babai i Halidit është punëtor i thjeshtë dhe i panjohur në
shoqëri.’ “

Djali u përgjigj:“Po, baba, është
e vërtetë, a kam merituar qortim dhe dënim për këtë?!”

Babai i mençur u përgjigj:“Nëse këtë
e ke thënë nga arroganca dhe vetëkënaqësia, me qëllim që të ngrihesh mbi
njerëzit e tjerë, atëherë dije se edhe pa e ditur ti e ke hedhur veten në Zjarr.”

Me të vërtetë, ne shpesh shqiptojmë fjalë
të cilave fare nuk u japim rëndësi, kurse ato na tërheqin në fund të xhehenemit.
 Vetëkënaqësia dhe mendjemadhësia për
shkak të pasurisë, bukurisë, prestigjit në shoqëri, diturisë dhe sasisë së
ibadetit, janë vepra të shëmtuara, të cilat i anulojnë veprat e mira dhe e
largojnë njeriun nga xheneti.

Muhamedi (savs) ka thënë: “Nuk do të
hyjë në xhenet ai që ka në zemrën e tij edhe një grimcë të mendjemadhësisë.”

Në një hadith tjetër, Pejgamberi (savs)
ka thënë:“Allahu më ka shpallur: ‘Jini të përulur dhe asnjë njeri të mos
bëjë dhunë ndaj njeriut tjetër, si dhe askush nga ju le të mos lartësohet mbi
njerëzit e tjerë.’ ”

Muhamedi (savs), shokëve të tij ju ka
treguar tregime për njerëzit të cilët i ka shkatërruar arroganca dhe
vetëkënaqësia. Në njërin nga këto tregime Muhamedi (savs), i ka përmendur dy
miq të Benu Israilëve dhe ka thënë:

“Dy burra nga Benu Israilët në mes vete ishin
miq të pandarë, por ata ndryshonin nga njëri-tjetri, sepse njëri prej tyre
ishte më i zellshëm në ibadet sesa tjetri, falte namaz nate dhe agjëronte
nafile, kurse tjetri ishte mëkatar,dhe nuk i kryente rregullisht as ibadetet e
urdhëruara, e lëre më ato vullnetare. Për këtë shkak, shoku i tij i devotshëm e
konsideronte atë më të dobët dhe më pak të vlefshëm sesa veten e tij.

Ai e paralajmëronte atë për mëkatet e tij
dhe ia ndalonte që t’i kryejë ato duke e kërcënuar me xhehenem, për aq kohë,derisa
shoku i tij u mërzit nga sjellja e tillë dhe trajtimi i vrazhdë ndaj tij, dhe i
tha: “Më lër të qetë, mëkatet e mia janë midis meje dhe Zotit tim.”

Pas kësaj, shoku i tij‘thirrës’ u zemërua
dhe i tha: “Pasha Allahun, unë mendoj se Allahu ty kurrë nuk do t’i falë
mëkatet.”

Pas kësaj, Allahu u çoi vdekjen të dyve, dhe
i ribashkoi dhe e pyeti njeriun e devotshëm, i cili Allahut ia mohoi atributin
e mëshirës dhe faljes, kur u betua se Allahu nuk do ta falte:
‘A më njeh ti Mua me të vërtetë si duhet
apo me dijen tënde ke arritur atë që kam në dorën Time? Dije se unë sot do ta
hedh poshtë mendimin tënd, sepse Unë bëj atë që dua.’

Pastaj Allahu i tha mikut të tij mëkatar:
‘Hyn në
xhenet me mëshirën Time.’

Të gjithë njerëzit, të mirë dhe të këqij,
të devotshëm dhe mëkatarë, nuk mund t’i numërojnë e as t’i parandalojnë begatitë
e Allahut, edhe ai që hyn në xhenet, do të hyjë me mëshirën e Allahut.

Kur Pejgamberi (savs) e tha këtë, sahabët
e pyetën:‘A as edhe ti, o i Dërguari i Allahut?’

Ai u përgjigj: ‘As edhe unë, nëse nuk më
mëshiron Allahu.’

Pastaj Allahu i tha njeriut të devotshëm,
i cili me betim e mohoi mëshirën e Allahut:
‘Hyn në zjarr.’ Një fjalë e shkatërroi
dhe e çoi në zjarr, ashtu që nga ibadeti i tij nuk përfitoi asgjë.”
(Rijadus-Salihin)

Në një transmetim tjetër thuhet se një njeriu
u lavdërua ndaj një njeriu tjetër para Pejgamberit (savs) dhe tha: “Unë jam
djali i filanit birit të filanit, po ti kush je, ti nuk e di as kush është
babai yt as kush është nëna jote.”

Atëherë Muhamedi (savs), e shfrytëzoi
rastin për t’ia treguar gabimin atij në mënyrë indirekte, duke ia treguar një tregim,
ku thuhet:

“Dy njerëz po grindeshin para Musait
(a.s.), dhe njëri prej tyre tha: ‘Unë jam djali i filanit birit të filanit, dhe
i numëroi 10 paraardhësit e tij nga 10gjenerata, të cilët të gjithë ishin të
famshëm dhe të respektueshëm, dhe kush je ti që të krahasohesh me mua?’

Ai, sikur të kishte menduar pak më mirë
për paraardhësit e tij, nuk do të ishte krenuar me ta, sepse ata ishin jobesimtarë
në Allahun e Lartësuar, për të cilin Allahu thotë:
‘Ju dhe ata që i keni adhuruar përveç
Allahut do të jeni lëndë djegëse e xhehenemit dhe me siguri aty do të banoni.’Pasi
që në zemrën e tij nuk kishte besim, ai u thirr në paraardhësit e tij dhe u
krenua me ta, duke u dhënë përparësi banorëve të Zjarrit mbi besimtarët, kështu
që fundi i tij dhe i tyre do të jetë i njëjtë.

Pas kësaj, Allahu i Plotfuqishëm i
shpalli Musait (a.s.), që t’i thotë atij njeriut i cili u krenua me paraardhësit
e tij:
‘O ti që po
krenohesh me 9 paraardhësit tu të cilët janë banorë të Zjarrit, dije se ti je i
10-i ndër ta.’

Ndërsa, sa i përket mikut të tij, ai tha:
‘Unë jam bir i filanit birit të filanit, unë jam bir i Islamit.’

Ai u krenua vetëm për babanë e tij, i
cili e kishte përqafuar Islamin, kurse paraardhësit jobesimtarë as që donte t’i
përmendte. Pas kësaj, Allahu i shpalli Musait (a.s.),që ta përgëzonte atë me
shpëtim në Ditën e Gjykimit dhe me kënaqësi të përjetshme në xhenet.”
(Imam Ahmedi)

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK